“Traditën duhet ta ruajmë” Stomatologia që end qilima artizanalë në tezgjah

 “Traditën duhet ta ruajmë” Stomatologia që end qilima artizanalë në tezgjah

Puna në Pazarin e Krujës ka rënë ndjeshëm. Kufizimet prej pandemisë dhe i ftohti kanë bërë që shumë dyqane të mbyllen, me shpresën se në verë do të ketë punë.

Por një dyqan me punime artizanale e gjen hapur. Atje punon një vajzë e re në moshë, e cila me profesion është stomatologe. Ornela së bashku me të ëmën prej vitesh prodhojnë qilima e plot produkte të tjera, duke u munduar të ndërthurin traditën artizanale me atë moderne.

“Tradita duhet ruajtur, por është për të ardhur keq se në Krujë janë shumë pak artizanë që po e mbajnë. Jam e vetmja e re që po e mbaj, jam vetëm unë dhe një i ri tjetër por ai ka zanat tjetër, bën qeleshe. Qilimat kanë qenë traditë mbarë shekullore. Jemi munduar ti bëjmë moderne që dhe turistët e huaj të mos largohen pa marrë një copëz Shqipëri. Kemi bërë portofola të vogla që s’ju peshon, se turistët e marrin se nuk ju peshon, nuk marrin punime të mëdha për shkak të peshës. Ricikluam copa dhe kemi bërë dhe çanta”, tregoi Ornela në një intervistë për abcnews.

Ornela shpjegoi se tezgjahu është një punë e bukur, veçanërisht kur krijimet janë me simbolet shqiptare. Ajo tregoi se një qilim tipik prej një metri katror, kërkon një javë punë nga 8 orë në ditë.

“Në këto momente po bëjmë një qilim tipik shqiptar që simbolizon shqiponjën. Për një metër katror duhet një javë punë nga 8 orë në ditë. Gjithë trupi është në lëvizje gjatë gjithë kohës. Sikur të mësosh makinë”.

Në dyqan bie në sy ky qilim. Është 200 vjeçar tregon Ornela dhe i punuar nga paraardhësit e saj.

E përveçse punës, familja e Ornelës i vjen në ndihmë edhe artizanëve të tjerë, duke u dhënë një vend produkteve të të tjerëve në dyqanin e saj.

 “Shqiponjat e drurit janë gdhendur nga artizanë të Krujës, që nuk kanë një biznes. I ndihmojmë, I punësojmë, ata I bëjnë dhe kur shiten ju japim paratë”përfundoi Onerla.