“Nuk më kthyen paratë e druve” Zbardhet dëshmia e 36 vjeçarit që i mori jetën dy grave në Devoll

 “Nuk më kthyen paratë e druve” Zbardhet dëshmia e 36 vjeçarit që i mori jetën dy grave në Devoll

36 vjeçari i cili u arrestua ditën e djeshme nga policia, e ka kryer krimin një ditë para se të mësohej për vrasjen e dyfishtë në fshatin Progër të Devollit.

Përpara hetuesve, Ali Zili ka deklaruar se dy gratë në moshë (nusja e vjehrra) nuk i kishin kthyer paratë për drutë e zjarrit.

“I vrava sepse nuk më kishin shlyer lekët e druve të zjarrit. Vrasjen e kam kryer një ditë më parë. Pas ngjarjes jam larguar nga fshati dhe kam ikur në Korçë, atë natë nuk u ktheva në shtëpi. Sapo zbardhi dita shkova në një dyqan rrobash dhe bleva veshje të reja për të fshehur gjurmët. Më pas rrobat e gjakosura, të paketuara në një qese, ia kam falur një endacaku“, tha para hetuesve Ali Zili.

Një fqinje e dy grave e zbuloi ngjarjen pasi kishte parë nga oborri një celular në tokë, e një njollë gjaku. Gruaja kishte shkuar për t’u dhënë disa mollë viktimave. Policinë e njoftoi kryeplaku i fshatit dhe ditën e djeshme, autori u arrestua.

Pavarësisht deklarimit të autorit, hetuesit besojnë se 36 vjeçari ka shkuar për të vjedhur dhe jo për të marrë paratë e druve të zjarrit. Që gratë nuk i kishin asnjë para borxh 36 vjeçarit, e konfirmon edhe vëllai i autorit.

Zili nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi edhe në raste të tjera ai është denoncuar për dhunë. Vëllai i autorit tregoi për median se ai kishte vese me alkoolin dhe ishte i dhunshëm në familje. Ai shtoi se i vjen rëndë t’u dalë përpara njerëzve dhe se dy të ndjerat (60 e 80 vjeçe) nuk i kishin asnjë para borxh të vëllait.

“E dënoj veprën, e dënoj sa s’ka ku të vejë më, më vjen rëndë. Nuk i bëra shamatë se ishte i alkoolizuar. Kur erdhi në shtëpi nuk i foli asnjë njeriu. Vetëm kur erdhi policia te dera i tha plaku: O bir çfarë ke bërë? Vëllai nuk foli por policia iu drejtua babit ‘Në fshat ka ndodhur një vrasje, janë vrarë dy gra’. Atëherë ne mbetëm të shokuar… ai vetë nuk na ka treguar asnjë gjë.

Viktimat s’kishin borxh te neve asnjë gram borxh .Ato dru që kishin marrë i kishin paguar merrte pensionin dhe ua jepte. Ai ka hyrë vetëm për grabitje… I bëj thirrje shtetit që njerëz si puna e këtij me precedentë penalë të mos lirohen nga burgu. Shteti të dënojë krimin makabër.“, rrëfeu vëllai i autorit, Gjergji.