Tragjedi në Tetovë! Pamjet nga spitali i përfshirë nga flakët, dyshohet për disa viktima

 Tragjedi në Tetovë! Pamjet nga spitali i përfshirë nga flakët, dyshohet për disa viktima

Spitali modular i Tetovës, i cili shërbente për pacientët me Covid, është përfshirë nga flakët këtë mbrëmje. Si pasojë e zjarrit, spitali modular është shkrumbuar tërësisht.

Ende nuk ka një numër zyrtar të viktimave dhe të të plagosurve. Sipas televizionit Alsat, dyshohet se kanë ndërruar jetë 15 persona, përfshi pacientë e punonjës të spitalit. Po sipas Alsat, ka shumë persona të lënduar e disa prej tyre janë nisur drejt Shkupit për trajtim më të specializuar.

Ndërkohë në media u përcoll kjo video, e filmuar nga një kamera amatore.

Të shumtë janë njerëzit që kanë mbërritur në spital për të kontrolluar mbi familjarët e tyre, të shtruar atje apo punonjës të spitalit. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut si dhe drejtues të tjerë të lartë kanë mbërritur në vendngjarje dhe pritet të japin një reagim zyrtar e më shumë informata në lidhje me ngjarjen tragjike.

Mbetet ende e paqartë se kush ka qenë shkaku i shpërthimit të flakëve.

Për median ka folur dhe një zjarrfikës, i cili ishte pjesë e ekipeve që shkuan në vendin e ngjarjes.

“Në ora 21 e 2 minuta kemi marr njoftimin se po digjet spitali modular në qendrën medicinale në Tetovë. Ekipet e zjarrfikësve për 3-4 minuta kanë arritur në vendngjarje me 7 makina dhe mbi 30 zjarrfikës. Megjithatë kur ekipet tona kanë arritur në vendngjarje, gjithçka ishte në flakë. Ne bëmë të pamundurën dhe në ora 21:30 minuta zjarri është shuar. Zjarri ishte shumë i madh sepse spitali modular ishte nga plastika”, deklaroi Sasho Trajçevski (zvzjarrfikës)