Tragjedia me 11 të vdekur në Malin e Zi, media e huaj zbërthen të gjithë dinamikën e ngjarjes

 Tragjedia me 11 të vdekur në Malin e Zi, media e huaj zbërthen të gjithë dinamikën e ngjarjes

Media e huaj ka hedhur dritë mbi masakrën me 11 të vrarë në Cetinje të Malit të Zi, atje ku një 34 vjeçar i armatosur me një armë gjahu, nisi të qëllojë pa asnjë arsye mbi banorët e zonës

Siç ka mësuar Vijesti, 34 vjeçari Vuk Boriloviç, vrau fillimisht dy fëmijë të mitur dhe nënën e tyre. Këta të fundit jetonin me qira në një pronë të tij. Rreth orës 15:30, ai ka hyrë në banesë e ka qëlluar një fëmijë 11 vjeçar, më pas të vëllanë e vogël (8 vjeçar). Boriloviç ka qëlluar më pas nënën e fëmijëve, e cila mbeti e lënduar rëndë dhe ndërroi jetë në spital.

foto: Boris Pejović

34 vjeçari kishte dashur të vriste dhe babain e fëmijëve, i cili në atë kohë nuk ndodhej aty.

Siç raporton Vijesti, ai e ka telefonuar këtë të fundit dhe i ka thënë “vrava familjen tënde”.

Vrasjen e fëmijëve të mitur e ka konfirmuar dhe kreu i policisë në Malin e Zi, i cili deklaroi:

“Rreth rës 3:30 të drekës, një 34 vjeçar nga Cetinje, qëlloi një familje, anëtarët e të cilës po qëndronin në një prej apartamenteve të shtëpisë së tij në Medovina. Autori ka përdodur një  çifte gjahu dhe i ka marrë jetën dy fëmijëve, 11 e 8 vjeçarë. Autori plagosi dhe nënën e të miturve, e cila nuk ia doli t’i mbijetojë plagëve në spital. Më pas ai ka nisur të qëllojë mbi rezidentët e tjerë në zonën përreth, duke vrarë 7 të tjerë e duke lënë të plagosur 6 persona”

Vijesti raporton se përgjatë 45 minutave të ardhshme, në një distancë prej 80 metrash nga shtëpia e tij, 34 vjeçari qëlloi për vdekje 7 persona dhe la të plagosur 6 persona të tjerë. Pasi i mori jetën të miturve, 34 vjeçari më tutje ka shkuar në shtëpinë e fqinjëve, duke qëlluar për vdekje Danijela e Dimitrije Drecun, një çift të moshuarish. I vdekur mbeti dhe djali i të moshuarve, një 56 vjeçar. 34 vjeçari qëlloi po ashtu dhe mbi nipin e të moshuarve, një 32 vjeçar i identifikuar siç raporton Vijesti, si Aleksandar.

Më tutje autori ka shkuar në banesën e një tjetër fqinji, duke vrarë një 37 vjeçar dhe xhajën e tij, 54 vjeçar. Së fundmi, duke ecur në rrugë, 34 vjeçari ka qëlluar për vdekje dy gra, të identifikuara sipas Vijestit si motra (Aleksandra 52 vjeçe dhe Mila 51 vjeçe).

Foto: Boris Pejović

Autori ka vijuar me masakrën, duke plagosur dhe njerëz të tjerë, përfshi këtu edhe një oficer policie. Oficerët që erdhën në vendin e ngjarjes nuk mundën t’i afrohen autorit, pasi ai nisi t’i qëllojë menjëherë. 34 vjeçari madje qëlloi edhe në drejtim të mjekëve të urgjencës që erdhën për t’i dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Sipas asaj që raporton Vijesti, 34 vjeçari vrau edhe xhaxhain e tij, i cili po mundohej të arsyetonte me të. 34 vjeçari raportohet t’i ketë thënë familjarit “tani po ta tregoj se çfarë jam duke bërë”.

Në lidhje me vrasjen e autorit të masakrës, prokurorja që po heton rastin deklaroi se nga të dhënat e deritanishme, rezulton se 34 vjeçari është vrarë nga një qytetar. Në median malazeze është raportuar mbi personin në fjalë, por prokurorja Andrijana Nastić nuk e bëri me dije identitetin e qytetarit në fjalë.

Trupi i 34 vjeçarit është dërguar në autopsi për të zbuluar shkakun dhe mënyrën e vdekjes, pasi trup autori kishte një sërë plagësh të shkaktuara nga disa plumba.

Në lidhje me motivin që e shtyu 34 vjeçarin drejt një masakre të paparë ndonjëherë në historinë e Malit të Zi, nuk ka ende një përgjigje. Drejtuesi i policisë së Malit të Zi, Zoran Brđanin tha se autoritetet po hetojnë çdo detaj dhe se informacionet do të bëhen publike për opinionin.

“Deri më tani, nuk është e qartë se çfarë e motivoi V.B për të kryer një akt kaq makabër. Vë në dukje se rrethanat e të gjithë ngjarjes, përfshi dhe vrasjen e autorit, po hetohen ende dhe publiku do të informohet përmes medias.”-tha ai.