Tropojë, dy minatorë humbin jetën pas shembjes në një galeri kromi

 Tropojë, dy minatorë humbin jetën pas shembjes në një galeri kromi

Foto ilustruese

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur këtë paradite në një minierë kromi në fshatin Lajthizë (Tropojë), atje ku për shkaqe ende të pazbardhura, një pjesë e galerisë është shembur.

Për pasojë, dy minatorë kanë humbur jetën. Fillimisht autoritetet raportuan për vdekjen e 41 vjeçari me inicialet A.D, ndërsa pak momente më parë, nga miniera është nxjerrë i pajetë dhe një tjetër minator, 40 vjeçari me inicialet A.Zh.

“Në vijim të informacionit të dhënë më parë, në lidhje me shembjen e galerisë në fshatin Lajthizë, ku humbi jetën shtetasi  A.D, 41 vjeç dhe mbeti i bllokuar në brendësi të galerisë shtetasi A.ZH, ju informojmë se:

Nga grupi i Avari-Shpëtimit të Minierave, punonjësit e Policisë dhe minatorët, u bë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të  shtetasit  A. Zh., 40 vjeç, banues në Kepenek, Tropojë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë  po  vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.”-njoftoi policia.

Ende mbeten të paqarta shkaqet e shembjes së galerisë, ndërsa punëtorët kanë qenë duke punuar në një thellësi të konsiderueshme në minierë. Dyshohet se ka mbetur i bllokuar dhe një tjetër minator , por deri më tani informacionet janë ende të paqarta. Para nxjerrjes së viktimës së dytë, autoritetet raportuan:

“Më datë 19.03.2022, rreth orës 11:55, në fshatin Lajthizë është shembur një galeri, ku për pasojë ka humbur jetën një shtetas A. D., 41 vjeç, banues në Tropojë dhe dyshohet se brenda saj janë bllokuar dhe dy punonjës. Grupi hetimore dhe ambulaca ndodhen në vendin e ngjarjes, për t’ju ardhur në ndihmë personave të bllokuar.”