U trajtuan mbi 500 persona me shenja helmimi, çfarë tregojnë analizat paraprake në Krujë

 U trajtuan mbi 500 persona me shenja helmimi, çfarë tregojnë analizat paraprake në Krujë

Gjatë ditëve të fundit në spitalin e Krujës janë paraqitur me shenja helmimi të paktën 500 persona. Diarreja, të vjellat, dhimbjet e barkut apo temperatura janë shenjat tipike që kanë raportuar qytetarët që i janë drejtuar spitalit të qytetit për ndihmë, përgjatë kësaj jave e fundjavës që lamë pas.

Njësia vendore e Shëndetit Publik në Krujë ka nxjerrë analizat paraprake të kryera për ujin. Gjetjet janë përcjellë në median shqiptare, nga ku raportohet se në mostrat e ujit janë identifikuar ngarkesa bakteriale të llojit Escherichia Coli (E.Coli) dhe Streptokokut Fekal. Mbetet ende për t’u zbuluar sesi dhe përse uji ka nivele të larta bakteriale.

Mbi këtë çështje ka nisur punën prokuroria e Krujës, ndërsa hetimet po zhvillohen nën akuzën “Ndotja e ajrit, ujërave e tokës me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave”. Aktualisht nuk ka asnjë person nën hetim për këtë akuzë, pasi pritet që fillimisht të zbulohen të plota shkaqet e helmimit.

Aktualisht në spitalin e Krujës situata paraqitet më e qetë. Në spital janë të shtruar 3 persona në urgjencë dhe tre në repartin e pediatrisë. Gjatë darkës (dje) ka patur më shumë raste. Ndërkohë mjekët kanë deklaruar se ka patur dhe persona të cilët janë shtruar për herë të dytë në spital, pasi sipas tyre kanë përdorur ujin në depozitat e shtëpisë.