“Unë vetë kam qenë në gjendje kome për 12 vite” Shqiptarja bamirëse ndihmon familjen e Xhevitit

  “Unë vetë kam qenë në gjendje kome për 12 vite” Shqiptarja bamirëse ndihmon familjen e Xhevitit

Shumë lot u derdhën mbrëmjen e djeshme në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” me historinë tragjike të familjes Llukaj nga Puka. Xheviti, kryefamiljari, është invalid ndërsa e shoqja Valbona, u godit nga një makinë në shtatorin e vitit të kaluar, teksa kalonte rrugën në Tiranë, pranë shtëpisë. Që prej asaj dite, Valbona qëndron prej mëse 219 ditësh në koma, ndërsa 4 fëmijët e saj presin e lutem që ajo të zgjohet.

Mijëra mesazhe erdhën në emisionin për të mbështetur këtë familje të sprovuar rëndë, ndërsa në studio ishte prezent dhe Xhaviti, babai invalid që kujdeset për të shoqen 24 orë në 24.

Në mesin e mesazheve shkruajti një shqiptare, mesazh të cilin e lexoi Sidrit Bejleri.

“Kam një mesazh të veçantë.”-tregoi Sidriti teksa lexoi:

“Quhem Nermine, nga Gjeneva. 200 franga për familjen e Xhevitit, fëmijët e gruan e tij. Unë vetë kam qenë në gjendje kome për 12 vite… Zoti i shëroftë”

Të prekur nga historia e dhimbshme e familjes Llukaj, në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” na shkruajtën dhe vogëlushë shqiptarë që kishin vendosur të jepnin kursimet e tyre për të ndihmuar fëmijët e Xhevitit e Valbonës. Njërin prej këtyre mesazheve, e lexoi Elvis Naçi.

“Përshëndetje xhaxhi Elvis, jam Deoni 9 vjeç… sapo ia dhashë babit 50 paund nga kursimet e mia për fëmijët që kanë mamin e sëmurë. Babi do i transferojë në bankë, Zoti i ndihmoftë, amin!”

“Një shqiptar i mirë dhe i vogël, që jep kursimet për fëmijët e familjes Llukaj.”-tha më tutje Elvisi.