Varianti ‘Delta’ i Covid në Shqipëri, Komiteti Teknik tregon nëse do të shtrëngohen masat

 Varianti ‘Delta’ i Covid në Shqipëri, Komiteti Teknik tregon nëse do të shtrëngohen masat

Pas konfirmimit zyrtar (në laboratorin gjerman) të mbërritjes së variantit Delta, Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur këtë të hënë, për të dhënë një panoramë të përgjithshme të situatës. Pavarësisht mbërritjes së variantit Delta, Komiteti Teknik ka vendosur që të mos i shtojë masat shtrënguese.

“Pavarësisht se është vërtetuar dyshimi i  fortë për prezencën e variantit Delta, niveli i masave nuk ndryshon. Masat do të jenë po ato të cilat kanë qenë më parë”, tha Mira Rakacolli, drejtuese e Komitetit Teknik.

Në lidhje me nisjen e shkollës në shtator, Rakacolli shtoi se mësimi do të rifillojë në kushte normale në shtator, nëse situata epidemiologjike është e njëllojtë.

Rakacolli: Të gjitha vendimet ne i marrim me situata konkrete epidemiologjike, nëse do vijojmë me të njëjtën situatë, nuk ka asnjë arsye që shkollat mos të fillojnë normalisht, aq më tepër që arsimtarët janë vaksinuar, shumica e fëmijëve kanë personat me të cilët jetojnë të vaksinuar. Por do të shikojmë se si do të jetë situata epidemiologjie dhe në varësi të saj do të jetë vendimi për shkollat.

Aktualisht në spitalin Covid në Tiranë janë të shtruar 9 pacientë të infektuar me Covid. Mjeku Dhimitër Kraja tha se gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe se në përjashtim të njërit, 8 pacientë nuk ishin të vaksinuar.

Kraja: Në spitalin COIVID 1 janë 9 pacientë. Gjendja e tyre e përgjithshme është e kënaqshme. Nuk janë pacientë që janë vaksinuar më parë apo që kanë kaluar sëmundjen, me përjashtim të një rasti, i cili ka bërë vetëm një dozë të vaksinës dhe nuk e ka bërë të dytën. Mosha e të sëmurëve vijojn të jetë mbi 69 deri në 72-vjeç. Situata është e mirë, nuk kemi patur raste shumë të rënda, apo vdekje dhe pavarësisht se rritjes së rasteve, kjo nuk reflektohet me forma të rënda apo vdekjeprurëse.

Në lidhje me rastet e konfirmuara të variantit Delta foli shefja e departamentit të sëmundjeve infektive Silva Bino, e cila sqaroi se i përkasin 6 rasteve të shtetasve të ardhur nga shtete të huaja.

Silva Bino: Janë 6 raste të cilët kanë qenë të vaksinuar, 2 raste kanë lidhje me udhëtimin në Angli. Kanë qenë të vaksinuar me AstraZeneca në prill në Mbretërinë e Bashkuar. Dy të tjerë kanë qenë të vaksinuar në Gjermani me Pfizer, nuk kishin krijuar mbrojtje dhe 2 të tjerët kanë qenë me Coronavac.

Shefja e ISHP-së Albana Fico saktësoi se ku janë gjetur rastet e dyshimta me variantin Delta në Shqipëri.

Albana Fico: Siç ishte paralajmëruar nga dyshimet, erdhi përgjigjja për variantin Delta. Situata në vend ka shënuar rritje në raport me incidencën… Për Deltën, ne këto mostra i kemi gjetur në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Peqin, Mat dhe Vlorë, në numra të vegjël gjithsesi. E gjithë kjo ka një vlerë të veçantë për atë çfarë kemi thënë, vaksinim dhe respektim i masave.

Është një mundësi e shtuar për komitetin sot, për të kujtuar se nuk kemi përfunduar me pandeminë, se nëse harruam që jemi në këtë situatë , qarkullimi i Deltës tregon se nuk e kemi mbaruar këtë detyrë. Kush dyshon për shenjat të karantinohet, kush ndihet rëndë të telefonojë në 127.