Vrasja në familjen shqiptare, media zvicerane përcjell detaje të reja

 Vrasja në familjen shqiptare, media zvicerane përcjell detaje të reja

Gjatë fundjavës së kaluar, një 35 vjeçar shqiptar u arrestua nën akuzën e vrasjes së të shoqes në kantonin e St. Gallen në Zvicër. Ishte ai që mori në telefon autoritetet për t’i vënë në dijeni se kishte plagosur rëndë të shoqen. Kur policia mbërriti në apartamentin e tyre, 32 vjeçarja shqiptare kishte ndërruar jetë tashmë.

35 vjeçari shqiptar ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë ngjarjen. Media zvicerane Tagblatt, përcolli disa detaje të reja në lidhje me ngjarjen si dhe mori në intervistë për rastin Florian Schneider, zëdhënësin e policisë së kantonit.

Motivi i vrasjes ende mbetet mister, por nga hetimet e deritanishme është zbuluar se nuk është përdorur një armë zjarri. Tre fëmijë ishin në shtëpi në momentin e krimit dhe aktualisht ata ndodhen nën kujdesin e të njohurve dhe familjarëve të çiftit. Rezulton se policia ka shkuar dhe më parë në familjen e shqiptarëve të Kosovës, por jo për rast apo denoncim të dhunës në familje.

Më poshtë po përcjellim intervistën që media zvicerane zhvilloi me zëdhënësin e policisë.

-Çfarë do të ndodhë me fëmijët?

Florian Schneider: Ende nuk është vendosur. Nëse fëmijët janë të përfshirë në një rast të dhunës apo vrasjes në familje, policia e kantonit do të bëjë një raport drejtuar autoriteteve për mbrojtjen e fëmijëve, do të jenë këta të fundit që më tutje do të vendosin.

Ishin të çiftit të tre fëmijët?

Jo. Dy prej tre fëmijëve, të moshave mes 14 muajsh e 17 vjeç, janë fëmijët e çiftit. Fëmija i tretë është një familjar që jetonte në shtëpinë e tyre.

Rasti ka të bëjë me një vrasje. A kishte patur më parë dhunë në familjes mes çiftit?

Policisë nuk i është dashur të shkojë kurrë në atë apartament për shkak të dhunës në familje më parë, por për shkak të problemeve personale të burrit. Shumëçka ndodh pas dyerve të mbyllura që policia s’mund të shohë. Nëse ky rast përfshin dhunën në familje me pasojë vdekjen e një personi, ky është subjekt i hetimeve.

Sa të shpeshta janë rastet e dhunës në familje në kanton, ku përfshihen edhe fëmijët?

Në vitin 2020 ka patur një total prej 1185 rastesh të ndërhyrjes së policisë në sferën familjare, fëmijët kanë qenë prezentë në 448 raste. Një total prej 738 fëmijësh janë përfshirë në të tilla raste.

Dyshohet se 35 vjeçari vrau të shoqen. Sa të shpeshta janë “femicidet” në kanton?

S’mund të them. Femicidi nuk raportohet në statistikat kriminale, ka vetëm kategori të vrasjeve

Ju ishin në vendin e ngjarjes në Rapperswil-Jona të shtunën

Po ndodhesha aty.

Çfarë u shkoi në mendje kur ndodheshit atje?

U preka shumë. Dy fëmijë nuk kanë tashmë nënën, ndërsa babai i cili dyshohet se vrau të shoqen ndodhet në burg. Edhe pse është pjesë e përditshmërisë sime në punë, është përherë tragjike kur krime të tilla ndodhin, veçanërisht kur fëmijët janë të përfshirë.

Burimi: Tagblatt/ Përshtati me disa shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info