“Zotni, më ka vdekur djali” Historia e dhimbshme e një nëne, humbi tre fëmijë në kampet komuniste

 “Zotni, më ka vdekur djali” Historia e dhimbshme e një nëne, humbi tre fëmijë në kampet komuniste

Gruaja takohet më nëndrejtorin e kampit të internimit, i cili quhej Syrja.

Nëna i drejtohet atij duke i thënë: “Zotni, më ka vdekur djali!”

“Mirë e ka bërë” i përgjigjet nëndrejtori i kampit të intenimit.

Gruaja quhej Vathe Habili, nënë e cila humbi tre fëmijë në kampet e internimit të regjimit komunist shqiptar.

Historia e familjes Habili është vetëm një ndër shumë shembujt e vuajtjeve që përballuan shqiptarët, gjatë periudhës së regjimit gjakatar. Më poshtë po sjellim disa momente të historisë së kësaj familje, treguar nga studiuesit e një prej fëmijëve të Vathes.

Habilajt kishin qenë një familje e pasur dhe gjatë kohës së pushtimit (1939) kishin luftuar kundër italianëve. Në vitin 1944 komunistët i shpallën “armiq të popullit” dhe në vitet ë mëpasme, e gjithë familja u internua, përfshi dhe fëmijët. Siç ka rrëfyer Asija (një nga vajzat e Vathes), familja fillimisht u internua në Berat.

Na internuan në Berat në lagjen “Mangalem”, më vonë në Kalanë e Beratit. Na çonin në Kuçovë të punonim në bujqësi, pa kurrfarë pagese, pra punë të detyruar. Këtu na mbajtën katër vjet. Këtu na vdiqën Nexhmija, motra e vogël trevjeçare dhe Fatmira gjashtë muajshe (vajza e djalit të Ramës, Hamidit, e cila lindi në internim, pasi e ëma, Nafija ishte shtatzënë kur i internuan)…Këtu sëmuret edhe Mukadesi, enjtet në trup, me sa mbaj mend kishte problem me veshkat…asnjë mjekim nuk iu dha, nuk e shtruan në spital…Ndërkohë na transferojnë në kampin e Tepelenës”, tregon Asija.

“Na lanë tetë ditë pa bukë. Ndërkohë, drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet që filluam t’i ziejmë sa për të shuar urinë. Në këto kushte Desi-motra ime tetëvjeçare, vdiq nga uria. E varrosëm Desin e vogël në shpatin e Kodrës në Turan. E futën direkt në tokë, pa arkivol apo dërrasë varri, që mund të mbronin kufomën. E mbuluan me gurë.”

Pas një viti në Turan, familja u internua në kampin e Tepelenës. Ajte ushqeheshin me racione, ku në 50 litra ujë (në nja kazan) hidheshin 3-4 kg makarona ose rrënjë gjethesh të kalbura. Puna e detyrueshme ishte norma, zbritja e druve në shpinë me litarë, më keq se kafshët. Sëmundjet në këtë kamp u merrnin jetën dhjetëra- qindra njerëzve, e veçanërisht fëmijëve.

Asija tregon sesi një herë, kur kishte dëmtuar këmbën, përgatiti një barrë më të lehtë drush. Kur e pikasi polici, i bërtiti, dhe i shtoi dyfish barrën duke i marrë drutë një gruaje tjetër.

“Në këtë kamp, ishte muaji gusht, një vit pas vdekjes së Desit, Xhevatin e zuri dizanteria, u sëmur të premten, pas tetë ditësh dha shpirt. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç…”-kujton Asija.

Pasi i biri i shuhet, Vathja, nëna, takon nëndrejtorin e kampit. Kjo ishte biseda e shkurtër:

-Zotni, më ka vdekur djali!

-Mirë e ka bërë!-i përgjigjet nëndrejtori.

-Mirë thua ti, por unë kam hall ta varros, e s’kam qefín.- i thotë nëna

-Ka sa të duash gurë e dhe!-ia kthen zyrtari.

Na ndihmuan të rregullojmë një arkivol. Një grup pleqsh e morën dhe e varrosën te këmbët e urës së Tepelenës, rreth 400 m nga kampi.”-tregon Asija.

Burimi: Kujto.al/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info