“12 orë ankth e punë intensive” Rrugëtimi për t’i shpëtuar jetën një vogëlushi 4 vjeçar nga Kosova

 “12 orë ankth e punë intensive” Rrugëtimi për t’i shpëtuar jetën një vogëlushi 4 vjeçar nga Kosova

“Shqiptarët për Shqiptarët”, Fondacioni “Firdeus” e mijëra shqiptarë bamirës… të gjithë u angazhuan për të bërë çmos për t‘i shpëtuar jetën një fëmije 4 vjeçar.

Ajani vogël vuan nga një çrregullim i rrallë që po i rrezikon jetën, ndërsa në trupin e tij janë hapur plagë serioze që kërkojnë mjekim tepër të specializuar.

Me të përcjellë rastin në rrjetet sociale nga ana e Elvis Naçit e “Shqiptarët për Shqiptarët”, etj, reagimi i shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm. Në një kohë rekord u arrit shuma e nevojshme për të gjitha kostot e kurimit të Ajanit në Itali.

Elvis Naçi shpjegoi shkurt rrugëtimin, duke treguar se pas një pune të palodhur, gjithçka u bë gati brenda 12 orëve.

Elvis Naçi: Pas thirrjes që na bëri nëna e Ajanit, ne u vumë në lëvizje menjëherë. Ajani po luftonte për jetën, asnjë nga spitalet në Turqi të kontaktuara nga prindërit nuk e merrnin përsipër. Vëllezër e motra edhe tani që e flas, nuk e besoj dot atë që ka ndodhur.

Në kohë rekord u nxorrën pashaportat, u aplikua për vizë italiane me ndërhyrjen tonë në Ministrinë e Jashtme Italiane… shumë stafe mjekësore të avionëve nuk e merrnin përsipër. Në fund, falenderoj me zemër e shpirt stafin zvicerian që na dha një dritë jeshile. E gjithë kjo që u tregoj shumë shkurt, zgjati 12 orë. Ankth dhe shumë punë intensive.

Ndaj sot unë dua t’ju falenderoj nga zemra ju të gjithëve, vëllezër e motra, që ju gjendët pranë Ajanit. Le të lutemi të gjithë së bashku që Zoti i Gjithësisë t’i japë shërim. Sot jam i lumtur, lumturohuni dhe ju bashkë me mua për mrekullinë që ndodhi.

Në mbrëmje Ajani arriti në Itali e tashmë po i nënshtrohet trajtimeve të specializuara. Babai i tij falenderoi në një mesazh të shkurtër, të gjithë shqiptarët që iu gjendën pranë në këto ditë tepër të vështira.

“Arritëm në Romë. Falenderojmë të gjithë, Fondacionin, Elvis Naçin…deri tash është mirë, po presim lajme të mira… besoj që çdo gjë ka me shku mirë, i falenderojmë të gjithë”-tha babai i Ajanit.