23 vite më parë ndodhi Masakra e Reçakut, këto janë jetët që u prenë në mes nga barbaria

 23 vite më parë ndodhi Masakra e Reçakut, këto janë jetët që u prenë në mes nga barbaria

Afro 30 kilometra larg Prishtinës më 15 janar të vitit 1999, do të ndodhte një ndër barbaritë më të mëdha të fundshekullit të shkuar.

Forcat serbe do të vrisnin e masakronin 45 civilë shqiptarë. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa plot trupa të tjerë u gjetën në pjesë të tjera të fshatit të Reçakut.

Masakra e ndodhur në Reçak, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Askush nuk u kursye, burra, gra, vajza, djem…

Por kush janë fytyrat e Masakrës së Reçakut, civilët të cilëve iu pre jeta në mes, mizorisht.

Bajram Mehmeti – 26.08.1945 

Bajrami punoi deri në vitet 1990 në Fabrikën e Gypave në Ferizaj. Ai u ekzekutua gjatë përpjekjes për t’u larguar nga sulmi i forcave paramilitare serbe. Fillimisht u plagos djali i Bajramit, Ilmoi, e më pas u vra e bija e tij Hamunshahja. Më tutje u vra Bajrami. Elmoi fatmirësisht mbijetoi.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hanumshahe Mehmeti – 10.10.1977

Hanumshahja ishte veçse 22 vjeçe ditën kur e vranë. Ajo u vra teksa përpiqej të ndihmonte babanë dhe vëllain e plagosur.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Rizah Beqiri – 10.05.1946

Rizahu kishte emigruar në perëndim dhe pak kohë para fillimit të luftës në Kosovë, ishte kthyer në vendlindje. Ai u vra në përpjekje për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Rizahu po tentonte të fshihej në pyll së bashku me djalin e tij 14 vjeçar, Halimin. Që të dy u ekzekutuan.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Halim Beqiri – 24.07.1985   

Halimi ishte veçse 14 vjeç, kur në tentativë për të shpëtuar në pyll së bashku me të atin, u ekzektua. Në momentin kur Halimi është vrarë, babë e bir, po tentonin të arratiseshin në drejtim të pyllit.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Zenel Beqiri – 12.09.1978   

Zeneli ishte 21 vjeç. Kishte përfunduar shkollën e mesme dhe ndihmonte familjen me punët në bujqësi e blegtori. Mëngjesin e 15 janari ’99, ai tentoi të largohej në pyll pas fillimit të të shtënave. Trupi i tij u gjet i pajetë në hyrje të pyllit. E kishin ekzekutuar.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Ahmet Jakupi – 28.02.1942   

Ahmeti tërë jetën e kishte kaluar në fshatin Reçak, atje ku ishte marrë me bujqësi e blegtori. Kur forcat paramilitare e ekzekutuan, ai ishte së bashku me djalin e tij 17 vjeçar, Xheladinin. Trupi i Ahmetit u gjet i ekzekutuar në Kodrën e Bebushit mbi Reçak. 

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Xheladin Jakupi – 05.04.1982   

Xheladini ishte ve ishte 17 vjeç, nxënës i shkollës së mesme. Në përpjekje për t’u ikur forcave serbe, u ekzekutua me të atin (Ahmetin) në Kodrën e Bebushit.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mehmet Jakupi – 17.08.1955  

Trupi i tij i pajetë u gjet me trupat e tjerë të masakruar në Kodrën e Bebushit. Mehmeti merrej me punë të shtëpisë dhe aktivitete bujqësore.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Eshref Jakupi – 11.03.1945  

Trupi i Eshrefit u gjet në Kodrën e Bebushit në Reçak. Nuk kishte ndonjë profesion të caktuar. Disa vite para luftës thuhet se ka jetuar në Perëndim, por ishte kthyer në fshatin e tij të lindjes, ku edhe u vra.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Haqif Hysenaj – 10.07.1949  

Haqifi ishte nga fshati Petrovë. Kishte të mbaruar Shkollën e Mesme Teknike në Ferizaj, si dhe kualifikime të tjera në Zagreb të Kroacisë. Deri në fillim të luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë, kishte punuar në Fabrikën e Gypave në Ferizaj. Një natë para masakrës së Reçakut, Haiqfi kishte shkuar për të vizituar disa familjarë në këtë fshat. Trupi i tij u gjet i ekzekutuar me trupat e tjerë në lokacionin e njohur si Kodra e Bebushit, mbi fshatin Reçak. 

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil   

Hasan Beqiri – 01.07.1983   

Hasani ishte 16 vjeçar. Nuk ka të dhëna specifike

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Ahmet Mustafa – 01.01.1930

Ahmeti u ekzekutua nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë së tij në Reçak. Merrem me bujqësi e blegtori.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Skënder Halili – 17.12.1968   

Skënderi përkujdesej për dy prindërit e tij në moshë. U vra nga të shtënat në një nga oborret e fqinjëve të tij.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Banush Kameri – 09.04.1936   

Banushi ishte bujk me profesion. U ekzekutua dhe pas kësaj u masakrua (iu këput koka). Një ditë pas masakrës dhe me pamjet e publikuara nga media ndërkombëtare, shihet në video edhe trupi i tij i dekapituar.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hajriz Brahimi – 15.04.1937

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Murtez Imeri – 20.05.1979

Murtezi ishte 20 vjeç. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak. Dëshmitarët thanë se kur filluan ekzekutimet, ai ishte ndarë nga familja e kishte tentuar të fshihej në pyll.

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Muhamet Mustafa – 15.01.1978   

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Muhameti ndihmonte babanë e tij në punët e bujqësisë. Trupi i pajetë i Muhametit u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak. Ishte 21 vjeç kur u vra.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Bajram Xheladini – 24.02.1964   

Ditën kur ndodhi masakra në Reçak, Bajrami ishte në shtëpi dhe pasi dëgjoi të shtënat, mori në krah djalin e vogël dhe u fut në pyll, në përpjekje për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Ai u ekzekutua nga largësia. Djali i shpëtoi.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Njazi Zymeri – 10.07.1954   

Njaziu kishte të përfunduar shkollën e mesme dhe në vitet ‘90 kishe hapur një dyqan të vogël në fshatin Reçak. Njaziu u ekzekutua në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Ajet Brahimi – 03.02.1959   

Ajeti kishte të mbaruar shkollën e mesme. Disa vite kishte punuar në shtetet perëndimore dhe ishte kthyer në Kosovë pak kohë para fillimit të luftës. Ai u vra në masakrën e Reçakut.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mustafë Asllani – I lindur në vitin 1968 

Trupi i vrarë i Mustafë Asllanit u gjet në dalje të fshatit Reçak, në lokacionin e njohur si Çesta e Reçakut. Ai u vra pasi kishin filluar krismat e para në fshat. Mustafa punonte si korrier në një shkollë fillore në qytetin e Shtimes. Në kohën kur u vra ishte 31 vjeç.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Halit Shaqiri – I lindur në vitin 1940   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hakip Imeri – 26.08.1966   

Jetonte në Reçak dhe merrej me bujqësi. Trupi i tij u gjet i masakruar në Kodrën e Bebushit, në fshatin Reçak. Kur u vra ishte 33 vjeç.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Nazmi Imeri – 13.06.1917

Tërë jetën jetoi në fshatin Reçak. Nuk kishte ndonjë shkollë të kryer. Jetonte i vetëm, ishte i pamartuar. Merrej me blegtori. U gjet i vrarë në oborrin e fqinjëve.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Bujar Hajrizi – 17.02.1979   

Ishte 20 vjeç ditën kur u ekzekutua. Kishte të përfunduar shkollën e mesme. Trupi i tij u gjet i shtrirë pranë viktimave të tjera në Kodrën e Bebushit në Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mufail Hajrizi – 01.02.1969

Mufaili kishte të përfunduar shkollën e mesme. Në vitet ‘90 kishte hapur një dyqan në fshatin Reçak. Kur në fshat u futën forcat policore e ushtarake serbe, sipas dëshmitarëve, ai ishte në shtëpi. Trupi i tij i pajetë u gjet në lokacionin që njihet si Kodra e Bebushit mbi fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mehmet Ismajli – 14.05.1955   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna    

Sheremet Syla – 05.11.1962   

Sheremeti kishte përfunduar shkollën e mesme në Ferizaj. Deri në vitet ‘90 punoi në Fabrikën e Vajit në Ferizaj. Trupi i tij i masakruar u gjet në Kodrën e Bebushit, së bashku me viktimat e tjera që u ekzekutuan në këtë vend.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Shyqeri Syla – 01.01.1938

Shyqeriu merrej me bujqësi. Nuk ishte i shkolluar. U vra së bashku me djalin e tij, Sheremetin, gjatë përpjekjes për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Trupat e tyre u gjetën në Kodrën e Bebushit, vend ku u ekzekutuan shumica e viktimave të këtij fshati.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Arif Metushi – 25.09.1946

 

Arifi kishte të kryer katër vjet të shkollës fillore. Merrej me punë krahu. Një kohë punoi në Zvicër. U ekzekutua në një rrugicë të fshatit Reçak, së bashku me dy vëllezërit e tij, Hakiun dhe Sabriun.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sabri Syla – 16.06.1939   

Sabriu merrej me bujqësi dhe blegtori. Nuk kishte ndonjë shkollim. U vra në një rrugicë të fshatit Reçak së bashku me dy vëllezërit, Hakiun dhe Arifin.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Haki Metushi – 10.10.1937

Nuk kishte ndonjë profesion të caktuar. Merrej me punë të shtëpisë dhe kohë pas kohe punonte në shtetet e rajonit. Pasi u kap nga forcat serbe, u ekzekutua në një rrugicë të fshatit. U vra së bashku me dy vëllezërit e tij, Sabriun dhe Arifin.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sahide Metushi – Viti i lindjes 1938   

U vra në mes të fshatit gjatë përpjekjeve për t’u ikur forcave policore të sigurisë. Nuk kishte ndonjë shkollim. Merrej me punë të shtëpisë.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Fatmir Ramadani – 27.05.1961   

Kishte kryer shkollën e mesme në Shtime. Merrej kryesisht me punë bujqësie dhe blegtorie. Trupi i ekzekutuar i Fatimrit u gjet në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna

Salih Ramadani – 26.04.1974

Merrej me bujqësi dhe blegtori. Trupi i tij u gjet i ekzekutuar pranë viktimave të tjera në Kodrën e Bebushit mbi Reçak.   

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Nexhat Ramadani – 02.10.1978   

Kishte të mbaruar shkollën e mesme në qytetin e Shtimes. Ai ishte zënë nga forcat serbe dhe ishte ekzekutuar së bashku me viktimat e tjera në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacionet e armatosura  

Jashar Salihu – 08.09.1974   

Jashari punonte në një biznes të vogël familjar. Kishte të përfunduar shkollën e mesme në Shtime. Ai u vra së bashku me dy vëllezërit e tij, Raifin dhe Shukriun. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Raif Salihu – 03.12.1978   

Raifi ishte 19 vjeç ditën kur u ekzekutua. Punonte në një biznes familjar me vëllezërit e tij. Nuk arriti të vijonte shkollën e mesme. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit mbi Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Shukri Salihu – 02.06.1980   

Shukriu ishte 19 vjeç në kohën kur u ekzekutua. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit, pranë viktimave të tjera.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sadik Osmani – 21.05.1954   

Sadiku ishte mësues në shkollën e fshatit Reçak. U gjet i vrarë në Kodrën e Bebushit afër viktimave të tjera.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacione të armatosura  

Lutfi Bilalli – 15.07.1957

Një periudhë të jetës e kishte kaluar në shtetet perëndimore. Pak para luftës ishte kthyer në Reçak. Trupi i tij u gjet pranë viktimave të tjera të masakruara në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacione të armatosura  

Bajrush Shabani – 01.11.1976   

Pas futjes në fshat të forcave paramilitare serbe, ai iku së bashku me vëllain e tij, Ramën. Gjatë përpjekjeve për t’u futur në pyll, Bajrushi u vra. Vëllai i tij, Rama, u kap nga policia, por i mbijetoi masakrës dhe pas shumë orësh arriti të largohej.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Ragip Bajrami – 08.11.1964   

Nuk ka shumë të dhëna për të. Ai u vra në afërsi të Kodrës së Bebushit, pas rënies në një pritë të forcave serbe.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacionet e armatosura  

Avdyl Sejdiu – 01.01.1900   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Shënim

Për krijimin e profileve të viktimave janë përdorur të dhëna nga dokumente të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, të dhëna të Fondit për të Drejtën Humanitare, si dhe libri “Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit”, i botuar në vitin 2004.   

Në këtë tekst janë përfshirë 44 viktima, fotografitë e të cilave janë të vendosura në memorialin e viktimave në fshatin Reçak të Shtimes.