“Baba, mami ku është” Rrëfimi i familjarëve të 37 vjeçares, një prej 10 viktimave të tragjedisë në Kroaci

 “Baba, mami ku është” Rrëfimi i familjarëve të 37 vjeçares, një prej 10 viktimave të tragjedisë në Kroaci

Para spitalit në Slavonski Brod në Kroaci, janë mbledhur dhjetëra familjarë e të afërm të pasagjerëve që udhëtonin në autobusin ku humbën jetën 10 persona.

Shumë prej tyre janë në lot, disa të lumtur që po shohin më në fund të afërmit që i shpëtuan tragjedisë së djeshme.

Mes tyre është dhe Arif Kikaj. Udhëtoi nga Peja drejt Kroacisë e i duhet të përballet me lajmin më të rëndë të jetës. E bija e tij 37 vjeçare është njëra mes 10 viktimave të tragjedisë. Pranë tij ndodhet dhe i shoqi i 37 vjeçares. Alinda Iprijaj udhëtonte së bashku me 4 nga 5 fëmijët e saj në autobus. Ajo ndërroi jetë gjatë aksidentit.

Babai i 37 vjeçares ka folur shkurtimisht për median kroate. Lotët nuk i pushojnë. Kur flet për fëmijët e të bijës, për një moment një buzëqeshje e zbehtë i kalon në fytyrë. Fëmijët, 14, 12, 9 dhe 7 vjeç fatmirësisht nuk janë lënduar prej aksidentit.

“Kam punuar për 10 vjet në Rijeka dhe 30 vjet më parë kam shkuar në Gjermani. Unë u ktheva në Kosovë dhe fëmijët e mi, Alinda dhe dy djemtë e tjerë, qëndruan në Shtutgart. Ajo ka punuar atje si infermiere. Ajo mendoi të vinte tek ne me pushime. Ata po mendonin të shkonin me aeroplan për në Prishtinë, por përsëri vendosën të merrnin autobusin për më lirë. Është një tragjedi e madhe për ne” tregon Arifi me lot, duke shtuar se do ta varrosë të bijën në Kosovë.

“Dhëndri ishte me ta. Ata e pyetën: Babi, ku është mami?” thotë Arifi, e pastaj qan përsëri.

Më tutje qëndron ulur Can Iprijaj, babai i fëmijëve dhe bashkëshorti i të ndjerës. Sytë i ka të ngulur në një hapësirë boshe. I përhumbur në dhimbje.

Familjarët po presin të marrin fëmijët e të nisen drejt Kosovës për të dërguar në banesën e fundit 37 vjeçaren.

Lotët e gëzimit për babain e një 22 vjeçareje

Po në spitalin e Slavonski Brod, ka shkuar dhe Agron Halilaj. Ai mbërriti aty nga Mynihu i Gjermanisë. Vajza e tij 22 vjeçe Flamenda dhe mbesa e tij (fëmija e vajzës tjetër) ishin në autobus. 22 vjeçarja së bashku me mbesën e mitur janë mirë. Kur media kroate e pyet, në sytë e Agronit gjen lot gëzimi.

“Ne të gjithë vendosëm të vijmë për pushime në Kosovë të mërkurën, por vajza vendosi të vijë më herë, kësisoj mori atë autobus. Vajza u ankua për dhimbje të mesit, por pas vizitës doli se ajo ishte mirë, nuk kishte asgjë të thyer. Mbesa kishte vrarë pak syrin, por është mirë”-tha Agroni për median kroate.