Për 45 vite në shërbim të pacientëve, shuhet mjeku shqiptar

 Për 45 vite në shërbim të pacientëve, shuhet mjeku shqiptar

Për 45 vite ia kushtoi jetën shërbimit në otorinologji dhe kohët e fundit gjatë pandemisë, iu gjend pranë edhe atyre qytetarëve që kishin të tjera probleme përtej specialitetit të tij.

Ka ndërruar jetë këtë të hënë mjeku Muharrem Nonaj. Doktori në rrethin e Skraparit u shua për shkak të Covid.

“Ai shërbeu ne rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet. Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin nje figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skaraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit. I shprehim ngushëllimet e thella familjarëve dhe lutemi që shpirti i Tij të prehet në paqe. “-shkruan në një reagim shoqata e mjekëve ORL.

Ndërkohë dhe kolegët kanë përcjellë me dhimbje lajmin për vdekjen e doktor Nonajt.

“Na hidhërove xhaxhi Muharremi me ikjen tënde… Sa shumë ke bërë për të gjithë ne që u lindëm dhe u rritëm në Skrapar.. Për mua ish shok i prindërve të mi dhe babai i shokut tim..  U prefsh në paqe”- shkruan mjeke Kozeta Mustafaraj.

Deri më tani në Shqipëri kanë vdekur mbi 20 personel mjekësor, përfshi këtu mjekë, infermierë apo persona që kanë qenë në frontin e parë të kontakteve me Covid.