Dita e kthesës në luftën për Kosovën, fotot e bombardimeve të NATO-s ndaj ushtrisë serbe
Si sot 22 vite më parë, NATO nisi bombardimet ndaj Serbisë, me qëllimin për të ndalur represionin e genocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Më 24 mars rreth orës 20:00 avionët e NATO-s bombarduan poste strategjike të ushtrisë serbe. Urdhrin e dha Presidenti i SHBA-ve të kohës Bill Clinton.
“Ne dhe aleanca e NATO-s bëmë të gjitha përpjekjet për arritjen e një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë, por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e Bosnje, zgjodhi agresionin në vend të paqes.”-do të deklaronte 22 vite më parë ish- Presidenti Bill Clinton.
Këto ishin sulmet e para të kësaj natyre nga ana e NATO-s. Sulmet ajrore vazhduan për 78 ditë në Kosovë e Serbi derisa në muajin qershor, “Kasapi i Ballkanit” u dorëzua. Millosheviçi pranoi të firmosë Marrëveshjen e Kumanovës (tërheqjen e trupave serbe nga territori i Kosovës).
Shqiptarët e Kosovës kishin që në vitet 89’ që ishin shënjestër e përndjekjeve të egra nga Serbia, pasi Sllobodan Millosheviç vendosi t’i heqë plotësisht autonominë Kosovës në atë kohë.