Një jetë e marrë për sherrin mbi një tub uji! Dy vëllezër në pranga për krimin në Dibër

 Një jetë e marrë për sherrin mbi një tub uji! Dy vëllezër në pranga për krimin në Dibër

Një ngjarje e trishtë ndodhi ditën e djeshme në Dibër, ku dy vëllezër i morën jetën komshiut të tyre.

Konflikti mes dy vëllezërve dhe viktimës (Xh.K, 50 vjeç) zhvillohej prej kohësh, por debati për një tubë uji (për vaditjen), solli humbjen e një jete. Vëllezërit M.M dhe A. M, përkatësisht 30 e 42 vjeçarë, qëlluan me armë 50 vjeçarin.

Burri mbërriti me urgjencë në spital, por humbi jetën si pasojë e plagëve. Autoritetet e arrestuan njërin prej vëllezërve që ditën e djeshme, ndërsa tjetri (A. M) u arratis drejt maleve me shpresën se do t’i humbiste gjurmët. Veçse arratia i zgjati deri sot në mëngjes, teksa ai u vetëdorëzua para oficerëve të policisë.

“Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.”-njoftoi sot policia.

Kështu përmbyllet një tjetër ngjarje që nis nga një përplasje e vjetër, ndizet nga gjaknxehtësia dhe përfundon në marrjen e jetës së një njeriut.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:

Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH.K.

Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.

Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.
Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.