“A mund ta përkëdhel pak qenin, babi im ndërroi jetë sot”

 “A mund ta përkëdhel pak qenin, babi im ndërroi jetë sot”

Mbase është shenjë e fatit, por ndonjëherë një person vjen në kohën kur ti ke nevojë më shumë. Kjo është historia e një 6 vjeçareje që humbi të atin për shkak të tumorit. Ai ishte vetëm 41 vjeçar dhe e la të bijën jetime.

“Ajo ishte shumë krenare për babain. Gjithmonë kërkonte ta prezantonte të atin me këdo që njihej”-thotë nëna e 6 vjeçares.

Kjo është Rejlin Nest. Jeton tashmë vetëm më të ëmën në Arkansas (SHBA). CBS i ka kushtuar një kronikë historisë sëkësaj vogëlusheje, e cila u përball me tragjedinë e vdekjes së të atit në një moshë kaq të vogël.

Në ditën kur i ati do të dërgohej për në banesën e fundit, 6 vjeçarja vendos të dalë jashtë ambientit ku po kryhej ceremonia mortore. Aty pranë sheh një grua të re që po bënte vrap së bashku me qenin e saj.

6 vjeçarja e ndalon gruan dhe i lutet “A mund ta përkëdhel pak qenin?”. Gruaja ndalon dhe i thotë “Patjetër, nëse prindërit e tu nuk e kanë problem” pa e ditur se vajza sapo kishte humbur të atin.

6 vjeçarja i tregon se i ati kishte vdekur dhe ndodhej në arkivol, në ndërtesën pranë. Vajza përqafoi qenin dhe e ftoi gruan të vinte në ceremoninë mortore.

“I kërkova të vinte dhe të shihte babanë tim”-tregoi vogëlushja për CBS (emisioni On the Road), ndërsa gruaja mbeti disi e shastisur nga kërkesa e 6 vjeçares. Ajo ishte veshur me rroba të papërshtatshme, e për më tepër ishte djersitur.

Pavarësisht, Emili vendos që t’i përgjigjet ftesës së 6 vjeçares, duke e ditur mirë se kjo do të ishte hera e fundit që 6 vjeçarja do të mund të ‘prezantonte’ të atin tek dikë.

“Të gjithë po më shihnin dhe dukej sikur mendonin… po kjo çfarë do këtu?”-tha gruaja.

Por pavarësisht skenës së pazakontë, 6  vjeçarja krijoi një lidhje të pashpjegueshme me këtë grua dhe qenin e saj, aqsa kërkoi të bëheshin ‘shoqe’. Një javë më pas ato u takuan sërish dhe 6 vjeçarja tha se do ta ketë shoqe përgjithmonë Emilin që ndaloi për të, në ditën më të vështirë të jetës.