Banorët e fshatit në ndjekje të të riut që i mori jetën vëllait 23 vjeç, thirrjet dëshpëruese të nënës

 Banorët e fshatit në ndjekje të të riut që i mori jetën vëllait 23 vjeç, thirrjet dëshpëruese të nënës

Pas disa orëve në kërkim, autoritetet policore kanë mundur të vënë në pranga 26 vjeçarin që një ditë më parë plagosi për vdekje të vëllanë, pas një sherri për motive banale.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Maqellarë të Dibrës dhe që nga e djeshmja, 26 vjeçari u arratis, vetëm për t’u kapur këtë të premte në një shtëpi të braktisur në fshatin Kurbeg (Maqellarë).

I gjithë fshati asistoi oficerët e policisë dhe ata të ndërhyrjes së shpejtë, përfshi këtu edhe nënën e 26 vjeçarit, e cila i kërkonte të birit të dorëzohej. Ajo thërriste “Shihe mamin djali im, hajde”, duke i siguruar të birit se policia nuk do ta ‘preknin me dorë’.

Vihet në pranga, autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në fshatin Allabegi, ku humbi jetën një 23 vjeçar. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër në bashkëpunim me DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në mesnatën e datës 29.04.2021, në Maqellarë, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe si rezultat u bë e mundur gjetja e vendodhjes dhe kapja e shtetasit F. T., 26 vjeç, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kurbeg, Maqellarë. Ky shtetas për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllain e tij, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën në spital.”- njoftoi policia.

Ndërkohë babai i djemve u shpreh në një prononcim për median se i biri vuante nga depresioni.

“Ishin shumë mirë. Ai i madhi ishte pak me depresion. Depresioni e mori në qafë. Djali i vogël punonte me delet, i madhi në lokal”.

Babai i viktimës kujton momentet kur po dërgonte të birin në spital. Për shkak të plagës së marrë nga goditja me thikë, 23 vjeçari ndërroi jetë.

“Ishte i vetëdijshëm, por kishte shumë gjakderdhje. Bernardin e çova vetë në spital, rrugës më tha “Ma bëj hallall”.