Bukën e ha shtrirë në tokë! 11 vjeçarja rrëfen vuajtjet nga skolioza: Çdo natë e kaloj me dhimbje

 Bukën e ha shtrirë në tokë! 11 vjeçarja rrëfen vuajtjet nga skolioza: Çdo natë e kaloj me dhimbje

“Kam shumë dhimbje… më dhemb shumë shpina, brinjët me therin shumë.”

Këto janë fjalët e një 11 vjeçareje e cila prej vitesh vuan nga skolioza. Kohët e fundit sëmundja ka përparuar aqsa 11 vjeçarja ka vështirësi në qëndrimin ulur, në këmbë apo natën, kur është duke fjetur. Antigona rrëfeu se edhe kur vjen koha për të ngrënë bukë, i duhet të rrijë në tokë, pasi në karrige s’mund të qëndrojë.

“Jam Antigona 11 vjeçe, vuaj nga sëmundja e skoliozës. Kur kam qenë në kopësht, babit i treguan se vuaja nga skolioza. Kam shumë dhimbje… më dhemb shumë shpina, brinjët me therin shumë (qan)

Sëmundja më shqetëson natën, nuk e bëj dot gjumin rehat, kudo që të fle. Të gjithë hanë bukë, unë as bukë nuk ha dot.”-rrëfeu për “Shqiptarët për Shqiptarët” Antigona.

Nëna e Antigonës ndodhet në çdo kohë pranë të bijës. Ajo është në shërbim të saj çdo minutë. Mes lotëve, rrëfen se 6 buste ka ndërruar e bija e sërish vajza nuk ka patur asnjë përmirësim, përkundrazi.

“Kur ha bukë, as në tavolinë nuk rri dot… vetëm rrafsh me tokën. Duhet ta vesh, ta laj unë. Tre buste ka vënë dhe s’ka patur asnjë përmirësim. Më dhemb shpirti, por s’kam çfarë të bëj.”-tregon nëna e 11 vjeçares.

Antigona detyrat i bën duke përdorur një stol, por ka plot raste kur dhimbjet janë aq të forta saqë as në shkollë s’mund të shkojë.

Antigona: Me një stol… e vendos në prehër dhe i bëj detyrat. Lodhem, pushoj pak e nis sërish detyrat e shtëpisë. Ndonjëherë nuk mundem e shkoj në shkollë pa detyra.  Të gjitha shoqet e mia luajnë, unë s’mundem. Kur vij në shtëpi, vetëm rri shtrirë. Është shumë keq… nganjëherë rri në klasë, nuk dal dot në pushim të gjatë prej shkallëve.

Kjo familje nuk i ka mundësitë për të përballuar ndërhyrjen që do të bënte të mundur shpëtimin e Antigonës nga skolioza.

Nëna e Antigonës: Mjeku më ka thënë se nëse nuk bëhet operim deri në 12 vjeçe, do të ketë pasoja të rënda. Im shoq është sëmurë, unë nuk kam mundësi ta dërgoj për operim vajzën. Shpresat i kam tek Zoti, inshallah Zoti e ju shqiptarët më ndihmoni, që të shëndoshet dhe vajza ime.

Antigona: Operacioni kushton 30 mijë euro… nuk ka babi mundësi të më bëjë operim mua. Unë nuk kam asnjë dëshirë tjetër, vetëm të shërohem.