“Burri vdiq në aksident, amanet la fëmijët… ne flemë në tualet, s’kemi ku shkojmë”

 “Burri vdiq në aksident, amanet la fëmijët… ne flemë në tualet, s’kemi ku shkojmë”

Ajo që dikur ishte tualet i banesës, sot është vendi më i mirë ku një nënë e dy fëmijët e saj mund të flenë natën. Dy kolltukë të vjetër janë ngjeshur bashkë, për të krijuar një vend të vogël për të fjetur, ndërsa shtëpia është tërësisht e rrënuar dhe me gropa.

Këtu jeton familja Shametaj. Edlira dhe dy fëmijët e saj Kreshniku e Donaldi e ‘shtyjnë’ jetën, pavarësisht se në moshë janë të rinj.

Përveçse problemeve ekonomike, Edlira vuan edhe nga epilepsia dhe shpesh herë e gjen veten me kokën në tokë dhe me shkumë që i del nga goja. Vështirësit për këtë familje që jeton në fshatin Mollaj të Ballshit, janë të paimagjinueshme.

Edlira: Kam qenë e martuar por u largova dhe erdha këtu në fshatin tim në Mollaj. Kreshniku është 15 kurse Donaldi 13. Burri më ka vdekur në aksident. Ka ndenjur në gjendje kome 10 ditë… ishte një moment shumë i vështirë. Më tha t’i shiko fëmijët dhe pas pak dha shpirt.

Vetë jam e sëmurë. Marr goditje në kokë, shkumë nga goja dhe bie në tokë. Kur përmendem nuk mbaj mend asgjë.

Por pavarësisht vështirësive, djemtë e saj i qëndrojnë pranë në çdo moment. Paratë nuk gjenden as për ilaçet dhe Kreshniku pavarësisht se është ende 15 vjeç, do të lërë shkollën për të nisur punën.

Kreshniku: Bëhet keq, rrëzohet përtokë, mjeku thotë të marri ilaçet por nuk kemi mundësi, qëkur ka vdekur babi në këto kushte. Shkolla është larg transporti me furgon kushton 15.000 lekë të vjetra në muaj. Aq kemi ndihmën ekonomike në muaj. Jam përpjekur të gjej një punë por këtu nuk kemi asnjë mundësi. Ju kërkoj ndihmë që unë të paktën të vazhdoj shkollën.

Edlira: Nuk kemi asgjë. Po shikoj fëmijët që vuajnë. Nuk kemi as bukë të hamë ndonjëherë. Djali thotë do punoj diku të lëvizim, por si mund të punojë një fëmijë. Edhe në shkollë i shajnë, mërziten atje. Kërkojmë një banesë tu ndryshojë jeta djemve se është shumë e vështirë.

Emisioni shqiptarët për shqiptarët e ndoqi rastin e vështirë të kësaj familje. Sidrit Beljeri shkoi me të shoqen për ta parë nga afër gjendjen e rëndë në të cilën jeton familja. Me të shkuar atje, Sidrit Bejleri u shpreh i shokuar për atë që pa, duke i kërkuar Edlirës dhe fëmijëve që të largohen sa më parë.

Bejleri: Ju s’duhet të rrini më këtu. Këtu nuk jetohet. Hajde të ikim.

Familja më tutje shkoi në Ballsh, dhe Bejleri i tregoi surprizën që e priste Edlirën e fëmijët. Një shtëpi e re.

“Faleminderit shumë gjithë shqiptarëve që ndryshuan jetën e dy fëmijëve të mi, fjalët nuk mbarojnë duke iu falënderuar”,-tha Edlira.

“Shkollën e keni afër, na jepni fjalën që do mësoni, do justifikoni gjithë interesin që treguan shqiptarët për ju”,-u tha dy vëllezërve Sidriti.