“Sikur t’a ktheja kohën, të shpëtoja vëllain” Historia e Mirushit dhe mrekullia e shqiptarëve

 “Sikur t’a ktheja kohën, të shpëtoja vëllain” Historia e Mirushit dhe mrekullia e shqiptarëve

Të atin e kishte sëmurë, nuk punonte dot. Një hemorragji cerebrale e kishte përkulur, duke i marrë dhe zërin.

E ëma ishte e papunë, kurse vëllai i vogël në shkollë. Barrën kryesore e mbante në shpatulla ai vetë, duke punuar me turne 16 orëve për të ndihmuar financiarisht familjen.

Derisa, një krizë epilepsie e hodhi në tokë. Për shkak të rënies, Mirush Baholli mori goditje në kokë.

21 ditë qëndroi në gjendje kome. Nëna e Mirushit i kujtoi në lot ato ditë, në një rrëfim për ‘Shqiptarët për Shqiptarët’.

Nëna: Mirushit në punë i ka rënë epilepsia. Djali ka ndenjur 21 ditë në gjendje kome. Djali nuk flet (qan)… unë prisja ta martoja djalin, jo të arrinte në këtë gjëndje. E ushqej me shiringë.

Bukurie Baholli kërkoi ndihmë për të birin. Ajo s’mund të përballonte një operim që kushtonte 30 mijë euro.

Bukuria: Mjeku më ka thënë që djali ka hidrocefali dhe nëse qëndron më shumë kështu, rrezikon jetën. Operimi kushton 30 mijë euro, ku ti gjej unë ato para. Djali punonte 16 orë për të na ndihmuar neve. Unë jam papunë, im shoq merr një pension invaliditeti… më ka marrë malli që të më flasë djali, të më qeshë. Ky hall që më ka rënë mua, askujt mos i raftë. I lutem Elvis Naçit e shqiptarëve të më ndihmojnë, siç kanë ndihmuar shumë të tjerë, se djali është i ri (qan).

Horgito, vëllai i vogël i Mirushit rrekej në mendjen e tij, sikur të kishte patur mundësi të kthente kohën… të ndalonte vëllanë që të mos shkonte në punë.

Vëllai: E ka zënë epilepsia në punë, në orët e vona të natës. Nuk ma bënte zemra ta shihja në atë gjendje në spital.

Mendime të kota fëmijësh… por sikur të ktheja kohën prapa, të mos e lija të shkonte në punë atë ditë. I lutem të gjithë shqiptarëve (qan), të japin me sa munden që të kryhet operacioni.

Shqiptarët për Shqiptarët iu përgjigjën lutjes së kësaj familje. Elvis Naçi shkoi personalisht të takonte Bukurien dhe Mirushin dhe i tha se paratë ishin mbledhur për operimin e 29 vjeçarit.

Elvis Naçi: Di t’ju them vetëm kaq. 30 mijë euro janë shumë, shqiptarët u përgjigjën. Ne lusim Zotin që Mirushi të bëhet mirë, sepse shuma tashmë është mbledhur. Ata që kanë kontribuar për ty mbase nuk të njohin personalisht, por zemrën e kanë të madhe.

Mirushi u nis drejt Spanjës për operimin dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë për të. Sot Mirushi është në këmbë dhe gëzon shëndet.