“Djali ka nisur të qeshë” Në janar rrezikonte të shuhej, sot Omeri vogël është drejt shërimit

  “Djali ka nisur të qeshë” Në janar rrezikonte të shuhej, sot Omeri vogël është drejt shërimit

Lindi me një problem në zemër. Si çdo prind, edhe nëna e babai i Omerit dhanë gjithçka për të birin. Por sakrifica e tyre e orvatjet për ta kuruar nuk mjaftuan. Babi e nëna e vogëlushit nga Kosova iu drejtuan për ndihmë fondacionit “Firdeus”. Në një kohë rekord, shqiptarët e treguan edhe njëherë shpirtin e tyre bamirës dhe paratë e nevojshme për kurimin e Omerit u mblodhën.

Për dërgimin e vogëlushit në Itali u bë një punë e jashtëzakonshme. E para se Omeri të largohej me nënën drejt spitalit, Elvis Naçi shkoi ta shohë nga afër djalin në Kosovë. Elvisi bëri lutje, ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë, që jeta e këtij vogëlushi të shpëtohej.

Omeri u nis me të ëmën drejt Italisë, e tanimë është ajo që na sjell një lajm të mrekullueshëm. Omeri ka nisur trajtimin dhe gjithçka shkon mirë. Djali ka nisur të qeshë e luajë tregon nëna e Omerit, ndërsa procesi i shërimit është në rrugën e duhur.

“Omeri është në terapi intensive. Është duke u mjekuar. Po shfaq shenja pozitive, ka filluar dhe po luan, po qesh… infeksioni po shkon duke u përmirësuar. Pritet t’i hiqet infeksioni e më pas të kryejë ndërhyrjen… Unë dua të falenderoj fondacionin “Firdeus”, Elvis Naçin, të gjithë shqiptarët që na kanë ndihmuar”, tha nëna e Omerit.