Fier, 30 vjeçari qëllon me thikë nënën, fqinjët të tronditur: Nuk e besojmë dot, ai ishte djalë i qetë

 Fier, 30 vjeçari qëllon me thikë nënën, fqinjët të tronditur: Nuk e besojmë dot, ai ishte djalë i qetë

Klaudio kishte afro 20 ditë që ishte kthyer nga emigrimi, atje ku punonte prej disa kohësh. Pas një debati me të ëmën, për arsye që ende pritet të zbardhen, ai ka qëlluar nënën. 30 vjeçari e ka goditur të ëmën me thikë, duke i shkaktuar lëndime në qafë, bark e këmbë. Gruaja u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa 30 vjeçari u largua nga banesa.

Policia mundi të vërë në pranga të riun.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për plagosjen me thikë të shtetases D. Ç., falë reagimit të menjëhershëm dhe në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë kapja e shtetasit K. Ç., i cili u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.”-njoftuan autoritetet.

Ka dyshime se i riu mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike, dyshime të cilat pritet të konfirmohen nga ana e hetuesve.

Fqinjët e gruas së plagosur ndërkohë, folën për median. Ata u shprehën të tronditur e të habitur nga ngjarja, pasi sipas tyre 30 vjeçari nuk ishte person problematik dhe se kurrë nuk kishin dëgjuar zënka në atë familje.

“Janë familje e shkëlqyer. Asaj i ka vdekur burri. Ajo e di hallin, nuk e dimë ne. Djali punonte jashtë shtetit në emigrim, vinte e ikte. Nuk kishin debate, djalë i shkëlqyer”, shprehet një fqinj.

“Ai çuni, të vriste Zoti për të, jemi habitur për të. Çun i urtë sa s’ka më”, shprehet fqinja tjetër.

“U habita kur e dëgjova si lajm. Asaj i ka vdekur burri që 37-vjeç, mezi i rriti fëmijët, familje e shkëlqyer, mbase ka qenë momentale. Nuk e di a përdorte alkool. Ky ishte djali më i mirë në lagje”, -tha një tjetër fqinje.