Hiqej si vullnetar për shuarjen e flakëve, por zjarret i ndizte vetë

 Hiqej si vullnetar për shuarjen e flakëve, por zjarret i ndizte vetë

Në shumë vende të botës vijojnë përpjekjet për të shuar zjarret, që kanë marrë jetë njerëzish e kanë shkretuar toka mbarë. Shumë zjarre vijnë prej temperaturave ekstreme, por ka dhe plot të tjera që vijnë nga dora e njeriut, qëllimisht.

Një rast i tillë ka ndodhur në Greqi. Në Athinë prej ditësh luftohet me flakët. Ka patur aq shumë zjarre saqë banorët janë këshilluar të mos hapin dritaret për shkak të tymit.

Por përvese temperaturave apo erës, flakët ‘janë favorizuar’ edhe nga njerëzit. Si rasti i një 43 vjeçari.

Teksa vullnetarisht po ndihmonte zjarrfikësit në shuarjen e flakëve, vatra të reja zjarri dilnin thuajse përherë ‘prapa’ tij. Madje pasi vatrat e zjarrit “rishfaqeshin”, ai shkonte po vetë dhe i fikte ato. Por shumë shpejt u kuptua se zjarret po i ndizte ai vetë.

Kështu ka përfunduar në pranga 43 vjeçari, shofer autobusi, i cili ishte kthyer në një zjarrfikës vullnetar, mesa duket për qëllimin e thjeshtë për të ‘rindezur’ zjarret.

43 vjeçari u arrestua ditën e djeshme në Krioneri (në rrethinat e Athinës) nën akuzën e zjarrvënies së qëllimshme. Madje në kontrollin e shtëpisë së 43 vjeçarit ishin gjetur dhe mjete për të ndezur zjarre.