Historia e shqiptarit që mbledh donacione në SHBA për të shkolluar jetimët

 Historia e shqiptarit që mbledh donacione në SHBA për të shkolluar jetimët

U nisën drejt Afrikës me rreth 2 mijë dollarë që kishin mbledhur përmes fondeve, me qëllim që të bënin të lumtur sa jetimë të mundeshin. Gjatë udhëtimit Enea Gjoka, shqiptar që jeton prej vitesh në SHBA, vendosi t’i propozojë për martesë të fejuarës, Jessica-s (Xhesika).

Qënduan në Afrikë për disa kohë dhe bënë punë vullnetare. Ndihmuan me sa kishin mundësi për jetimët në Kenia e Ganë, dy prej vendeve më të varfra në botë.

Pasi u kthyen në shtëpinë e tyre në SHBA, Enea e Xhesi vendosën që të krijojnë një organizatë të vogël jo- fitimprurëse, në mënyrë që të grumbullonin fonde për t’i dërguar ato drejt shkollave të varfra e jetimëve në Afrikë.

‘Shqiptarët për Shqiptarët.info’ e pyeti çiftin sesi lindi ideja për të bërë bamirësi dhe cilat janë planet e tyre.

Intervista:

-Si nisi orvatja juaj për të bërë bamirësi?

Xhesika: Të punuarit për fëmijët, vullnetarizmi dhe të ndihmuarit e atyre që janë në nevojë ka qenë diçka që përherë e kam dashur. Në vitin 2016 vendosa të shkoj si vullnetare në Ganë të Afrikës, për të kaluar kohën në një jetimore në Kasoa. Kam dashur të udhëtoj dhe Afrika ka qenë një ndër destinacionet ku kam dashur të shkoj. Pasi rashë në dashuri me të gjithë fëmijët atje, pyeta veten se çfarë mund të bëja më shumë veçse punës vullnetare. Sapo mbërrita në shtëpi (SHBA), planifikova një mbledhje fondi. Arrita të mbledh 1 mijë dollarë. Vitin tjetër, së bashku me Enean, planifikuam një udhëtimin si vullnetar në Afrikë në Kenia. Para ardhjes sonë kishim arritur të mblidhnim rreth 2 mijë dollarë donacione për t’ja dhënë jetimoreve në Ganë e Kenia. Kur qemë në Kenia, vendosëm që disa para që mblodhën t’ja jepnim një jetimeje, që të mund të shkollohej për një vit. Qemë të aftë t’i paguanim faturën për shkollën, librat, uniformën. I blemë po ashtu dhe lodra e sende të tjera për një sërë fëmijësh. Më tutje u kthyem në Ganë se dhuruam 1 mijë dollarë për një shkollë. Shkolla quhej ‘Virgin Kids Academy’ dhe u bë vendi ku Enea më propozoi për martesë.

Kur u kthyem në shtëpi vendosëm që të nismin një organizatë non-profit për të mbledhur para për fëmijët atje. Vendosëm ta quanim Tribe Mankind (Tribuja e njerëzimit), si një emër që vë në dukje zemërgjerësinë dhe qëllimin për të ndihmuar ata që janë në nevojë.

-Shqipëria është një vend me probleme të theksuara përsa i përket varfërisë. A ke menduar ndonjëherë për të bërë bamirësi në Shqipëri?

Enea: Kemi mbledhur rreth 15 mijë dollarë dhe këto para i kemi përdorur për të ndihmuar në shkollimin e jetimëve, në ushqim, veshje e nevoja bazike. Kemi ndihmuar po ashtu edhe për rindërtimin e shkollave atje. Fondet u bënë të rëndësisshme veçanërisht gjatë kohës kur nisi pandemia, pasi fëmijët atje vuajnë për ushqim dhe nevoja bazike.

Qëllimi ynë është ta përhapim këtë model dhe në krye të listës është dhe Shqipëria. Është qëllim i yni që të njihemi me komunitetin në Shqipëri dhe të vizitojmë shkollat si dhe të punojmë për të mbledhur fonde e donacione për to. Si drejtues të një organizate të vogël non- profit, besojmë se mënyra e vetme për t’u rritur do të jetë me ndihmën dhe mbështetjen e të tjerëve.

-Çfarë ju inspiron?

Qëllimi ynë për ngritjen e ‘Tribusë së njerëzimit’ është i thjeshtë. Të ndihmojmë të sistemet e paprivilegjuara me fonde, në mënyrë që më shumë fëmijë të mund të shkojnë në shkollë dhe të kenë materialet bazike për t’u edukuar. Të dyve na pëlqen të njohim njerëz të rinj dhe të gjejmë mundësi për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

Të qenit zemërgjerë ndonjëherë është aq e thjeshtë sa të dhënit dikujt një buzëqeshje