Historia prekëse e një babai, prej vitesh 52 vjeçari del nëpër qytet për të mbushur gropat e rrugës

 Historia prekëse e një babai, prej vitesh 52 vjeçari del nëpër qytet për të mbushur gropat e rrugës

Ishte viti 2015. I biri kishte dalë me kushëririn. Po udhëtonin me motor, por një gropë në rrugë, u bë shkas që ata të aksidentoheshin. Kushëriri shpëtoi, por jo djali i këtij burri. Ishte veçse 16 vjeç dhe në atë aksident humbi jetën.

Që nga ajo kohë, Dadarao Bilhore, sot 52 vjeçar, i vuri për qëllim vetes një mision fisnik… që ai të bëhej shkas për t’i shpëtuar jetën të tjerëve që nuk e patën fatin e djalit të tij 16 vjeçar. 52 vjeçari, shitës perimesh, nisi kësisoj të dalë nëpër rrugët e qytetit të tij (Mumbai) me mëse 20 milionë banorë. Me vete merrte disa vegla, një kovë e lëndën për të mbyllur gropat e rrugës.

Me kalimin e kohës e zbulimin e arsyes se përse ai dilte rrugëve, shumë vullnetarë i janë bashkuar orvatjes së tij. E deri në vitin e kaluar, 52 vjeçari ka mundur të mbyllë mbi 1500 gropa nëpër rrugët e qytetit e rrethinave… mbase duke u bërë kështu shkas, për shpëtimin e një apo më shumë jetëve.

Në ditën e përkujtimit të viktimave nga aksidentet rrugore (vitin e kaluar), Anadolu Agency e kontaktoi Dadarao-n, i cili rrëfeu momentet kur mësoi për vdekjen e të birit.

“Atë ditë, kur djali im vdiq… nuk qava. Atë ditë, në vend të lotëve vendosa që të luftoj, që një ditë qyteti ynë të mos kishte gropa nëpër rrugë. Që nga ajo kohë e kam bërë këtë punë dhe jam i kënaqur prej saj, sepse ndihmon në parandalimin e më shumë vdekjeve në rrugë. Unë kurrë nuk do të doja të shihja familje të tjera të shkatërruara, ashtu siç ndodhi me mua”-tregoi babai.

Kur u pyet sesa ka ndërmend ta bëjë këtë punë (vitin e kaluar, 52 vjeçari kreu një operim në zemër), ai u shpreh se nuk do të ndalojë, derisa të ketë forca dhe jetë.

Sipas statistikave të atjeshme, të paktën 10 persona humbnin jetën në ditë, si pasojë e gropave në rrugë