Historia prekëse, mësoi se nuk po kujdeseshin për gjyshen… nipi vishet si mjek dhe hyn në spital

 Historia prekëse, mësoi se nuk po kujdeseshin për gjyshen… nipi vishet si mjek dhe hyn në spital

Gjyshja e kishte rritur. Jetonin në Tomsk, një qytet i vogël në zonën siberiane (Rusi), Prej disa kohësh ai nuk kishte patur mundësi ta takonte. 84 vjeçarja ishte e shtruar në repartin covid të spitalit.

Por më vonë një pacient që ishte shëruar i tregoi shumëçka. I tha se gjyshen e tij e kishin lënë në mëshirë të fatit.

Kaq mjaftoi dhe i riu vendosi të hyjë në spital, pa lejen e askujt. U vesh si mjek dhe me pajisje mbrojtëse për të fshehur fytyrën. Arriti të hyjë në repartin Covid, atje ku kishte kërkuar të hynte dhjetëra herë, por mjekët e infermierët ia kishin refuzuar kërkesën për t’i qëndruar në krah të moshuarës.

Nën rrobën e mjekut, me vete kishte marrë pelena për të rritur, rroba të posaçme kundër plagëve që shkaktohen nga qëndrimi i gjatë shtrirë dhe lëndë ushqyese që jepen në mënyrë intravenoze.

Nuk kishte sigurim”-tregoi ai për Radio Free Europe. E kur hyri brenda, çka i panë sytë e tmerroi dhe shqetësoi.

“U futa në repart dhe pyeta se ku ishte pacientja. Duke u thënë se isha terapist nga një repart tjetër, hyra brenda. Gjyshja ime ishte shtrirë në një pellg me urinë e jashtëqitje. Kishte të vjella në gojë dhe maskën e oksigjenit e kishte në ballë”, rrëfen nipi i saj, Sergei Samborski.

E moshuara kishte në trup mavijosje të shumta. Askush nuk kishte ngritur gishtin për t’u kujdesur për 84 vjeçaren, e cila vuante dhe nga Alzheimer-i.

Madje i riu postoi dhe një video duke treguar gjendjen mizerabël në të cilën ishte lënë e moshuara.

Në ditën e tretë të ‘infiltrimit’ të tij, një mjek e kuptoi se diçka nuk shkonte dhe nisi ta marrë në pyetje të riun. Me të zbuluar se ai nuk ishte mjek, Sergei u dëbua nga spitali.

Në këto kushte e vetmja gjë që i kishte mbetur të riut, ishte të denonconte rastin.

“E dita menjëherë se më duhej që të shkoja në Moskë, nëse doja që ta shpëtoja gjyshen time. Nuk kishte kuptim që të shkoja te prokurorët në Tomsk… Shpresa ime e vetme ishin prokurorët federalë. Doja që të shkoja edhe te presidenti (Putin). Raportova në Komitetin e Hetimeve për shkeljet në punën e spitalit”, tha i riu.

I riu u kthye nga Moska në Tomsk më 29 tetor, por nuk pati më mundësi që ta vizitonte gjyshen.  E moshuara kishte temperaturë të lartë e pneumoni. Një ditë më tutje ajo u dërgua në repartin e kujdesit intensiv dhe u vendos në ventilator, por po atë ditë ndërroi jetë.

Teksti i përshtatur me shkurtime, burimi: Radio Free Europe