Italiani restauron qendrën shëndetësore në Vlorë me punë vullnetare

 Italiani restauron qendrën shëndetësore në Vlorë me punë vullnetare

Për herë të parë ka ardhur në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë nuk i është ndarë Shqipërisë e Vlorës. Por kësaj here, Saskao Anton, ka shkuar në qytetin bregdetar me mision, për të ndihmuar një mjek që i kërkoi ndihmë. Ai është shtetas italian por me origjinë nga Rumania. Është besimtar dhe pasi ka parë vështirësitë e mëdha të mjekut shqiptar, mik i tij, ka vendosur të punojë vullnetarisht për rikonstruktimin e qendrës shëndetësore në lagjen ‘Pavarësia’, një godinë e lënë në harresë.

“Doktor Krenarin e njoh prej shumë kohësh, më kërkoi ndihmë sepse ai punon këtu. Duke parë se në çfarë kushtesh punonte ai këtu, unë u preka. Prandaj mendova se çfarë mund të bëjmë për t’i dhënë një dorë. Çatia këtu fuste ujë dhe ne duhet të ndihmonim. Kam folur me miq dhe kemi hequr mënjanë pak para. Jemi këtu për t’i treguar dashurinë, sepse për këtë kishte më shumë nevojë miku ynë”, u shpreh italiani në një prononcim për median shqiptare.

Antonio tha se të gjithë duhet të japin diçka nga vetja dhe se me besimin në Zot, mund të realizojnë shumë gjëra në ndihmë të të tjerëve.

“Unë e bëra me dashuri, edhe këtë mund ta demonstroj, duke vepruar, duke punuar, jo vetëm me fjalë. Jam vullnetar, çdo gjë që bëj këtu nuk është se më paguan dikush” tha ai.

I pyetur nëse ka ndërmend të ndihmojë të tjerë, ai thotë:

“Nëse është e mundur përse jo. Mund të them se qëkur vij në Shqipëri, kam njohur persona në nevojë. Unë personalisht jam vënë në punë në këto raste.”