“Këtu është kthyer si ferri në tokë” Rrëfimet e njerëzve që u goditën nga tragjedia e tornadove

 “Këtu është kthyer si ferri në tokë” Rrëfimet e njerëzve që u goditën nga tragjedia e tornadove

“Është e frikshme, këtu është kthyer si ferri në tokë. Njerëzit i kanë humbur të gjitha, është thjesht e tmerrshme”

Kështu u shpreh një prej banorëve të qytetit të vogël të Mejfildit (Mayfield), zona më e goditur nga tornadot e stuhitë që mendohet se vranë të paktën 100 persona në SHBA.

Njerëzit në këtë zonë të Amerikës i kanë humbur të gjitha. Forca shkatërruese e tornados ka qenë aq e madhe saqë as pallatet e godinat e mëdha nuk i kanë ‘mbijetuar’ goditjes.

Ja si e tregon një prej banorëve të qytezës, i cili mrekullisht arriti t’i shpëtojë katastrofës gjallë.

“Papritur muret filluan të shemben e të na bien përsipër. Tavani ra në tokë po ashtu. Unë u përplasa në tokë prej tavanit, mbeta në një cep të kuzhinës, poshtë tavolinës ku hamë bukë. Më në fund arrita të dal barkas jashtë njërës prej dritareve. Pashë që kishin ardhur zjarrfikësit, isha i mbuluar në gjak. Ime shoqe nuk ishte këtu, pas dy ditësh e mora vesh që edhe ajo ishte mirë”

Një tjetër burrë i cili ndodhet në vendin ku dikur qëndronte shtëpia e tij, tregoi se nuk ka mbetur asgjë më.

“Nuk kemi ç’bëjmë. Do të nisim të pastrojmë, të hedhim mbeturina e rrënojat e t’ja nisim nga e para. Vetëm kjo na ka mbetur të bëjmë, sepse nuk ka më asgjë me vlerë për të mbajtur.. është thjesht e vetëm shkatërrim, nuk ka mbetur më asgjë”

“Jemi në atë gjendjen ku pyesim veten, si do ia nisësh? Nga do t’ja nisësh?”-tregoi një grua.

E mes kaosit që ka lënë shkatërrimi, duket se gjen dhe ‘fije’ të shpresës, vullnetin e njerëzve për të ndihmuar njëri- tjetrin në këto kohë të vështira. Si rasti i këtyre burrave të cilët kanë nisur të gatuajnë për këdo që nuk ka patur mundësinë të hajë diçka për orë me radhë.

“Po pjekim disa hamburgera e hotdog-ë. Nuk dinim ç’të bënim por kishim një grillë, disa njerëz dhuruan ushqim dhe vendosëm ta gatuajmë, të japim ndonjë shishe me ujë, pra të qëndrojmë (duke shërbyer) derisa të kemi ushqim”-tha një prej qytetarëve që po gatuante për njerëzit./ Burimi: BBC