Ruante bukën për t’ja dhënë vëllait e motrës! Ja si ja ndryshuan jetën shqiptarët tre jetimëve

 Ruante bukën për t’ja dhënë vëllait e motrës! Ja si ja ndryshuan jetën shqiptarët tre jetimëve

Në një zonë të largët në Kamëz, kjo ngrehinë që dikur shërbente për të mbledhur barin e lopëve, strehonte këta tre fëmijë me nënën e tyre. Tre fëmijë jetimë, pasi i ati kishte ndërruar jetë, duke i lënë në vegjëli.

“Banesa” nuk ishte as e tyrja, ndërsa kësaj nëne fatkeqe qiranë ia paguante i ati i moshuar.

Prindërit bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre, e ashtu si i ati i Hankes, edhe vetë kjo nënë kursente bukën, ushqimin e pakët të ditës, për t’ja dhënë fëmijëve, dy prej të cilëve fare të vegjël.

Kësaj sakrifice shpesh herë i bashkohej e bija, Etmonda, e cila po ashtu në plot ditë nuk fuste gjë në gojë, për t’i dhënë një kafshatë më shumë vëllait e motrës së vogël.

“Shqiptarët për Shqiptarët” e përcollën historinë e kësaj familje të varfër muaj më parë, me qëllimin që së bashku me bamirësit shqiptarë, të nxirrnin nga skëterra e skamjes jetimët me nënën.

Ashtu ndodhi. Falë shqiptarëve, jeta e tre jetimëve ndryshoi rrënjësisht. Një ëndërr e bërë realitet, zemra e një nëne që gjeti qetësi dhe tre fëmijë që lanë tutje dëshpërimin, për të vijuar shkollën, për të ndjekur ëndrrat e tyre.

“Shqiptarët për Shqiptarët” është rikthyer sërish tek kjo familje për të parë sesi janë tre jetimët e vegjël. Etmonda, që preku shqiptarët me sakrificën e saj për të vëllanë e motrën, na tregon se ndjek një shkollë profesionale për infermieri… Me vullnet po ecën përpara, për të mbajtur premtimin për të atin, se do të kujdeset për nënën, vëllain e motrën.

“Kam prej 7 muajsh që kam hyrë në shtëpinë e re…kur erdhëm për herë të parë  ishte si një ëndërr që nuk mendoja se do të realizohej ndonjëherë në jetë. Isha komplet në ajër, thoja a jam në vete unë, nuk më besohej.

Kur fillova të jetoja çdo ditë, të gjitha ishin ndryshe. Këtu është një rutinë krejt ndryshe, kushtet janë shumë të mira. Ndryshimi është shumë shumë i madh me atë që kemi patur. Çdo gjë është si në ëndërr, mendoja, ktheja kokën se ku kam qenë e ku jam tani.

Kam qenë në një ekstrem, jetoja në një shtëpi të huaj, që më parë ishte stallë lopësh…

Ndryshimin e ndjejmë, nuk na largohen më njerëzit si më përpara. E mendoja përherë idenë për të lënë shkollën për punën, për motrën e për vëllain. Ata i përbuznin, më mirë të lija shkollën e të punoja për t’i plotësuar ato pak kushte… por kur erdhët ju, Shqiptarët për Shqiptarët,  mu plotësua ëndrra, ishte e pabesueshme. Tani vijoj shkollën profesionale për infermieri e patjetër unë do të bëhem dikushi, të ndihmoj edhe unë.

Unë ju falenderoj me gjithë zemër, më keni dhënë një të ardhme. Do të bëj çtë mundem që të realizoj të gjitha ëndrrat. Babi atje ku është tani, është më i qetë, sepse e di që falë jush kemi një strehë mbi kokë. Amaneti i tij arriti të realizohej falë jush, falë shqiptarëve.“-tregoi vajza.

“Tani jam shumë më mirë. Fëmijët janë mirë e unë jam më e qetë. Shtëpia është e jona. Faleminderit prej jush, Elvis Naçit e ata që ndihmuan për dhurimin e shtëpisë për fëmijët e mi. I falenderoj pa masë, Allahu ua shpërbleftë sepse unë nuk mundem t’jua shpërblej.”-thotë nëna e jetimëve.