Kroaci, shoferi i autobusit lihet 1 muaj në paraburgim, avokati: Ai nuk ka thënë se e ka zënë gjumi

 Kroaci, shoferi i autobusit lihet 1 muaj në paraburgim, avokati: Ai nuk ka thënë se e ka zënë gjumi

Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod të Kroacisë ka caktuar masën e paraburgimit për shoferin e autobusit me targa të Kosovës, i cili u aksidentua të dielën e prej ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan mbi 40 të tjerë.

“Gjyqtari urdhëroi paraburgimin për një muaj për shkak të mundësisë së arratisjes nga Republika e Kroacisë. Ai tani do të dërgohet në burg. Sot u mor vetëm vendimi për paraburgim, nuk u paraqitën dëshmi”, ka thënë zv.prokurori i Shtetit për qarkun, Franjo Kopuniç.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i shoferit u shpreh për median, duke thënë se ai nuk i ka thënë askujt se e ka zënë gjumi gjatë drejtimit të autobusit. Përpos këtij detaji, avokati u shpreh se nuk mund të bëjë publike të tjera të dhëna.

“Në asnjë moment ai (shoferi) nuk ka thënë se e ka zënë gjumi” tha Igor Cisper, avokati i shoferit, duke shtuar “fola me të për një kohë të shkurtër, ai është i keqardhur për gjithçka ka ndodhur.”

Gazetarët kanë insistuar duke e pyetur sërish avokatin nëse “a ka thënë se e ka zënë gjumi”

Avokati është përgjigjur sërish duke thënë:

“Mesa unë di, ai nuk i ka thënë askujt se ka qenë në gjumë. Ai më tha mua një sërë gjërash, por ato detaje do t’i mbajmë për vete”

Më tutje avokati shtoi se ai dhe Ljubo Pavasoviç Viskoviç do ta mbronin në gjyq shoferin

Kujtojmë se ditën e dielë një zyrtar kroat u shpreh se gjatë marrjes në pyetje, shoferi kishte konfirmuar se e kishte zënë gjumi për disa momente.