“Luftë gjithë jetën, as sytë s’ja shpëtoj dot vajzës” Prindërit e 3 vjeçares i luten shqiptarëve

 “Luftë gjithë jetën, as sytë s’ja shpëtoj dot vajzës” Prindërit e 3 vjeçares i luten shqiptarëve

Sa e vështirë mund të jetë për një nënë të rrisë 7 fëmijë në mes të skamjes. Sa e padurueshme do duhej të ishte dhimbja e një babai, që nuk kuron dot plagët e të bijës.

Të tilla ditë të vështira i kanë rënë për pjesë një familje të varfër shqiptare. Raxhi Muhaxhiri e shtyn jetën prej tre javësh me pak thërrime me shpresën se mbase një mrekulli do të ndodhë dhe vajzës së tij, do t’i vijë drita e syve.

“Gjithë këto tortura e vuajtje që kemi… na ndodhi një tjetër fatkeqësi. Vajza vrau syrin. As buka nuk më haet dot… Kam tre javë që ha një herë në ditë. Nuk e shoh dot kështu vajzën” -thotë babai.

Elifi është veçse tre vjeç. E mitura po luante me të motrën disa ditë më parë dhe aksidentalisht mbeti e lënduar në sy nga një copë metalike. Goditja i dëmtoi nervin kryesor. Që prej asaj dite syrin ia kanë ‘mbuluar’ Elifit, por garzat nuk të shërojnë. 3 vjeçarja rrezikon të humbasë shikimin.

“E kemi dërguar në Tiranë tek spitali i shtetit. Doktori më tha që ka mundësi ta humbasë dhe syrin tjetër. Tek privati e dërguam dhe kërkonin shumë para, 7500 euro. Nuk e kishim mundësinë dhe e sollëm vajzën në shtëpi. Ato para as në ëndërr nuk i kam parë”-thotë babai i Elifit.

Nëna e Elifit e ka të vështirë të flasë. Fytyrë i mbushet në lot e dhimbje. Gjithë ato sakrifica. Duket sikur shpresën e ha humbur plotësisht.

“Asnjë nuk na ndihmon neve… asnjë. Nuk dua asgjë, veçse goca të jetë mirë, vetëm të më shikojë goca.”-thotë ajo.

Kryefamiljari na tregon se punon me çfarë të mundet. Kërkon hekurishte për t’i shitur për pak të holla. Por ato para që ky burrë mbledh pas orëve dërrmuese, janë aq të pakta saqë as për bukën e gojës nuk teprojnë. Tashmë me rrezikun se e bija do ta humbasë njërin sy, gjithçka duket e pamundur. Një luftë, që ky burrë nuk ka shpresa ta fitojë.

“Luftë gjithë jetës kemi patur. Familjen e mbaj me hekurishtet që mbledh. Mamaja del rrugëve dhe i sjell ndonjë bukë kalamajve. Ka patur plot ditë që i kam vënë në gjumë pa bukë fëmijët.

Mjekimi kushton 50-70 mijë lekë. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, asnjë lloj të ardhure. Nuk kam sesi t’i dal përballë jetës.”-thotë Haxhiu

Përballë këtyre vështirësive, e vetmja gjë që mbetet është një lutje për ndihmë.

“Vetëm po na ndihmuan shqiptarët tonë. Ta vënë dorën në zemër që të mund t’i bëj operimin vajzës”