“Më torturoi” Flet e moshuara e dhunuar nga nipi! Indinjatë në rrjetet sociale

 “Më torturoi” Flet e moshuara e dhunuar nga nipi! Indinjatë në rrjetet sociale

Një ngjarje që ka tronditur mbarë vendin ndodhi këtë të dielë në Divjakë, ku një i ri ka rrahur e më pas dhunuar seksualisht gjyshen e tij të moshuar, 89 vjeçare.

I riu 30 vjeçar me inicialet S.M, sipas raportimeve ka qenë në gjendje të dehur. Nipi e ka rrahur e më pas ka përdhunuar të moshuarën.

Babai i 30 vjeçarit është shprehur për median, duke thënë se i biri ka qenë i dehur. Kur ai ka shkuar në vendngjarje, i biri ka mohuar akuzën e bërë nga 89 vjeçarja, të cilën burri e ka gjetur të zhveshur.

“Vajta për të marrë çunin në Fier. Kishte ardhur nga Greqia. E morëm me taksi dhe e sollëm në shtëpi. Më lë taksia te porta dhe kur shikoj unë plaka këtu. Mirëpo atë nuk e pashë fare unë. Plaka ishte e vrarë nga fytyra. Kjo më tha mua që ai më vrau. Kur unë e kapja nga supet ajo ishte e zhveshur, lakuriq.

E kishte zhveshur ky, kishte hedhur dhe bebelina te dera. E pyeta unë plakën, më përdhunoi tha. E takova djalin, i fola. Më tha jo, ti i qëllove kështu. E mori ky pastaj e çoi matanë. Flejtën andej. Djali ishte e dehur. Unë vajta mbylla derën. Vajta te kryeplaku denoncova atje. Më tha do denoncoj në polici. Denoncoje i thashë”, tha babai i të riut.

“Më ka rrahur. Më bëri si do vetë. Më torturoi…tha e moshuara me zërin e dridhur, ndërsa në fytyrën e saj shiheshin qartë shenjat e dhunës fizike.

Rasti është denoncuar në polici, e cila më tutje ka bërë të mundur arrestimin e 30 vjeçarit.

 “Sot rreth orës 10:30, njoftohemi se në fshatin Grabian, shtetasi S. M., 36 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike ndaj gjyshes së tij, shtetases H. K., 89 vjeçe,  e cila ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit S. M dhe po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Vetë i riu nuk i ka pranuar akuzat përpara hetuesve. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes pritet kryerja e analizave.

Disa te afërm të të riut thanë për median se ai ka qenë i dënuar për vepra penale të dhunës edhe më parë në shtetin fqinj (Greqi).

E moshuara është transportuar në spitalin e Lushnjes për ndihmë mjekësore. Ngjarja e rëndë ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale. Të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin maksimal për 30 vjeçarin.