Dokumentat e rrallë, çfarë kërkonin shqiptarët në kohën e pandemisë së gripit spanjoll

 Dokumentat e rrallë, çfarë kërkonin shqiptarët në kohën e pandemisë së gripit spanjoll

Pandemia e gripit spanjoll mbërriti dhe në Shqipëri. Dokumentet janë të pakta për numrin e të vdekurve, por megjithatë ekzistojnë letra zyrtare të bashkisë së Elbasanit, të firmosura më datë 25 dhjetor të vitit 1918.

Bashkitë e asaj kohe kishin bërë përpjekje për të shpërndarë afishe informuese për gripin dhe gjetjen e mënyrave për të shmangur infektimin. Mbi këtë në dokumente janë regjistruar disa nga kërkesat e pronarëve të kafeneve në Elbasan, të cilët i kërkonin bashkisë që të hapnin lokalet e mbyllura prej pandemisë.

“Me urdhën të Katundarisë, kafehanat t’ona nga puna e smundjes qi kishte ranë në qytet ishin mbyllë për 10 ditë. Po prej ditës qi u dha urdhni e deri sot kanë kaluar 12 e ma tepër ditë” shkruhet në letër. Më tej, evidentohet se disa kafene janë hapur me urdhëra të veçantë dhe se e njëjta gjë duhej të bëhej edhe për ta.

dokument i publikuar nga Scan

“Kanë mbetë vetëm kafehanat t’ona pa u çel edhe këjo në dam t’onin, të cilët sikurse e dini me këto kafehana po përmbjamë shtëpijat t’ona.  Prandaj nga shkaku i pushimit të sëmundjes edhe pas urdhnit të dhanun qi disa kafehana të çilen, ju lutem fort të jepni urdhën qi edhe kafehanat t’ona të çilen e të punojnë si ma përpara” mbyllet letra.

Pandemia e gripit spanjoll përfundoi në prill të vitit 1920 dhe sipas përllogaritjeve mund të ketë vrarë deri në 50 milionë njerëz në të gjithë globin.