“Më dhuruat xhenetin e kësaj bote, dritën e syve të tim biri… faleminderit”

 “Më dhuruat xhenetin e kësaj bote, dritën e syve të tim biri… faleminderit”

“Mirdita, nuk gjej fjalë që t’ju falenderoj sinqerisht, më bëtë nënën më të lumtur në botë. Ishte e tmerrshme të mendoja që im bir do të jetonte në terr. Do t’ju jem mirënjohëse dhe në botën tjetër. Zoti më faltë që dyshova se nuk do të më ndihmonit, por pas Zotit ishit ju. Ndaj ju përulem me respekt. Ndoshta pas tre muajsh të tmerrshëm, nuk i gjej dot fjalët e duhur për të thënë faleminderit. Por është zemra e një nëne, që i dhatë dritë në një fund të tuneli.”

Ky është mesazhi që na dërgoi një nënë. Elsa kishte 12 vite që priste ardhjen e fëmijës së saj të dytë, por sprovat që përballoi ishin të mëdha. Djali i saj Erkidi, lindi para kohe dhe për disa javë ishte mes jetës e vdekjes. Mrekullisht ai mundi të mbijetojë, por sprovat vijuan. Pas 2 muajsh të dhimbshëm, mjekët i treguan nënës e babait se Erkidi rrezikonte tashmë të humbte shikimin.

Ishte ky momenti, kur ndërhynë shqiptarët dhe bamirësia. Së bashku bëmë të mundur dërgimin e Erkidit në Itali, atje ku vogëlushi 2 muajsh iu nënshtrua një ndërhyrje që i shpëtoi shikimin. Ditët kaluan dhe Elsa, nëna e Erkidit, na solli një mesazh tjetër, emocionues dhe prekës. Mesazhin e lexoi Elvisi, në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”.

“Mirmbrëma, ndoshta më solli Zoti tek ju dhe bëtë një mrekulli në kohë rekord, por ju kam zili për punën që bëni ju. Sa shumë ju do Zoti që ju ka futur në këtë rrugë, xhenetin e kësaj bote ma dhuruat ju dhe jo vetëm mua. Jam e bindur se e keni siguruar xhenetin në botën tjetër me gjithë këto bekime që merrni duke shpëtuar jetë. Zoti jua shpërbleftë.”-shkruhej në mesazh.

“Është Elsa, nëna e Erkidit që u nis me urgjencë në Bambino Gesu, pasi rrezikonte të humbte shikimin. Këto janë urimet që na jep nëna e tij, Zoti e bekoftë atë dhe të gjithë shqiptarët që ndihmuan.”-tha Elvisi.