Nënë e babë në lot: 12 vite pritëm ardhjen e fëmijës… pasi qëndroi në intubim, sot rrezikon dritën e syve

 Nënë e babë në lot: 12 vite pritëm ardhjen e fëmijës… pasi qëndroi në intubim, sot rrezikon dritën e syve

Prej 12 vitesh, ëndërronte të kishte një fëmijë të dytë. Sa herë që i biri kishte ditëlindjen, shprehte një dëshirë, të kishte një motër ose vëlla. Pas 12 vitesh, familja Braho u bekua. Ishte një ëndërr e madhe e realizuar, por në fundin e muajit të gjashtë të shtatzanisë, një e papritur ndodhi.

“Para tre muajsh, pata një lindje të parakohshme, ende pa hyrë në muajin e shtatë lindi Erkidi. Mund ta imagjinosh, pas 12 vjetësh… ishte gëzimi më i madh pas shumë e shumë sprovash që më solli jeta, pas 12 vjetësh mezi e pritëm.”-tregon Elsa.

“Ishte dhe dëshira e djalit të madh. Çdo ditëlindje, na tregonte se dëshirë kishte të kishte një motër ose vëlla. Zoti e deshi dhe ne mezi e prisnim. Djali prekte barkun e nënës… gjithçka ishte në rregull, por në një moment nusja pësoi hipertension. U shtrua në spital dhe atë ditë fëmija pati komplikacione, ka patur ulje të rrahjeve të zemrës pasi ishte goditur placenta prej hipertensionit. Ishte e pamundur të vijojnte shtatzania, pasi bëhej fjalë për jetën e bashkëshortes.”-tregoi babai i Erkidit, Elidoni.

Mjekët ndërhynë dhe jeta e Elsës u shpëtua. Erkidi vogël u intubua. Shpresat për jetën e vogëlushit që Elsa me të shoqin e kishin pritur për 12 vite… ishin të pakta.

“Hyra në sallë operimi dhe për djalin nuk kishte shpresë. Im bir vijoi për tre javë në intubim. Pyesja shpesh pediatren, a kemi ndonjë të re. Asnjë shpresë nuk kishte për tre javë. Pas dy javësh pati një komplikacion tjetër, e mendova se e humba. Kështu me radhë, për një muaj e gjysëm.”-tregoi mes lotëve Elsa.

Por mrekullia ndodhi. Gjendja shëndetësore e vogëlushit u përmirësua.

“Zoti e deshi, që fëmija u kthye në jetë. Por vetëm ideja, kur e mendoja, se një zemër e vogël rrihte dhe nuk u dorëzua asnjëherë… kur erdhi momenti që e sollëm në shtëpi, nuk kishte gëzim më të madh.”-tregoi Elidoni.

Por gëzimit që rimbushi zemrat e Elsës e Elidonit, iu ndalua vrulli. Një tjetër sprovë. Një tjetër vuajtje për familjen Braho. Sytë e Erkidit të vogël, veçse 3 muajsh…

“Kalova gjithë ato sprova në jetë e mendova se kjo ishte lumturia më e madhe. Në dy muaj luftë për jetën, tani marrim vesh se im bir rrezikon sytë, retinën e syve. Mendova se e kaluam, ia hodhëm, por jo… tani është lufta më e vështirë. Vetëm thjesht ideja se im bir do mund të kalojë gjithë jetën në terr.. (qan) Besoj vdekja ime do të ishte shumë e ëmbël para gjithë këtyre që po kaloj. Ka një mundësi, por nëse nuk bëhet shpejt, im bir e humb shikimin.

Në Shqipëri është e pamundur sepse nuk ka anestezist e reanimatorë për moshën e fëmijës. E vetmja shpresë është spitali italian Bambino Gesu, i cili merr përsipër ndërhyrjen por sa më shpejt që të jetë e mundur. Operacioni kushton 40 mijë euro, por për ne është e pamundur t’i grumbullojmë.

Kam vënë edhe shtëpinë në shitje por e kemi patur të pamundur. Menduam se do të shitet, por kohë nuk ka. Ju lutem nga zemra e një nëne, ju lutem ndihmojeni tim bir që të mos mbetet i verbër gjithë jetën… ju lutem, ju lutem, ju lutem, mos ma lini në terr tim bir për gjithë jetën, më ndihmoni ju lutem.”-rrëfeu mes lotëve Elsa.