Ministri kroat i Shëndetësisë jep detaje për gjendjen shëndetësore të shqiptarëve të lënduar

 Ministri kroat i Shëndetësisë jep detaje për gjendjen shëndetësore të shqiptarëve të lënduar

Vili Berosh, Ministri kroat i Shëndetësisë, deklaroi se pacientët e lënduar rëndë janë në gjendje të qëndrueshme në repartin e kujdesit intensiv.

Pas një vizite së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Berosh tha për median atje se gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk është përkeqësuar gjatë orëve.

“Pacientët që ishin në rrezik për jetën në njësinë e kujdesit intensiv janë ende të qëndrueshëm. Gjendja e tyre shëndetësore nuk u përkeqësua”

Ministri i Shëndetësisë shtoi se dy të shtruar në spitalin e Nova Gradiskas janë liruar.

“Një person i lënduar iu nënshtrua një operacioni pasi pësoi një lëndim të rëndë trupor, por jo kërcënues për jetën. Sipas Berosh, bëhet fjalë për një frakturë të parakrahut.

Dy të shtruar në spital në Nova Gradiska u liruan. Një person është pa lëndime, ndërsa tjetri u transferua në Klinikën për Traumatologji në Zagreb dhe nuk ka nevojë për operacion, është një dëmtim i shtyllës kurrizore”, tha Berosh.

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç tha se do të bëhet gjithçka që ka në dorë shteti për t’i ardhur në ndihmë të aksidentuarve.

“Ne do të ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme. Jo të gjithë do të jenë në gjendje të shkojnë në Kosovë në të njëjtën kohë, disa janë të plagosur, disa nuk janë, ne do të ndihmojmë me transportin dhe në të gjitha mënyrat që nevojiten”-tha kryeministri.

Kujtojmë se 14 pasagjerë që nuk morën lëndime gjatë aksidentit në autobus, janë strehuar dhe përkujdesur në një godinë hotelierie, ashtu siç raporton Index.hr.