Ndërroi jetë në gjumë, historia e 13 vjeçarit nga Kosova që mbante familjen me lëmoshë

 Ndërroi jetë në gjumë, historia e 13 vjeçarit nga Kosova që mbante familjen me lëmoshë

Ishte veçse 13 vjeç. I ati e gjeti në dhomën e tij të gjumit, të pajetë. Mister ende se përse një i mitur ndërroi jetë në gjumë, teksa ekspertët mjeko- ligjorë e kanë nisur punën për të zbuluar shkakun.

Ndërkohë në shtëpinë e tij në Fushë Kosovë, dera është e hapur. Pranë saj në një karrige, është vendosur një peshqir i bardhë e një tufë lule, një kumtim simbolik për të treguar se familja është në zi dhe ka hapur dyert për ngushëllimet pas vdekjes.

Babai i 13 vjeçarit Halit Puçolli, foli për T7 dhe tregoi se i biri kishte qëndruar dy ditë në aeroport.

“Ka qenë në aeroport dhe qëndroi dy ditë pa gjumë atje. Erdhi në orën e syfyrit në shtëpi e më tha, baba jam i lodh shumë po bij me fjet. Dyshova shumë, se shumë ka fjetur… kur e kam pa, ishte i vdekur… i ftohur krejt.”-tha Puçolli.

13 vjeçari nuk shkonte në shkollë, sepse ishte personi që dilte përditë rrugëve për të siguruar sadopak të ardhura përmes lëmoshës, për të ndihmuar familjen.

Elmedinin e njihnin të gjithë në pazarin e Fushë Kosovës. E njihnin si një fëmijë zemërmirë e inteligjent. Në kafenetë ku Elmedini kishte shkuar për të kërkuar lëmosha, njerëzit u shprehën të mërzitur për vdekjen e tij.