“Nëse është e mundur, ta heq syrin tim e t’ja vë djalit” Fondacioni Firdeus i përgjigjet lutjes së prindërve

 “Nëse është e mundur, ta heq syrin tim e t’ja vë djalit” Fondacioni Firdeus i përgjigjet lutjes së prindërve

Ermali është 12 vjeç dhe jeton në Tiranë në një banesë me qira me familjen e tij. Një incident në fëmijëri i dëmtoi syrin dhe sot ai rrezikon të humbasë shikimin.

“Kur kam qenë 4 vjeç, u dëmtova me një tel duke luajtur me vëllezërit. Shumë frikë kam, mos humb shikimin… se s’do të luaj dot më me shokët (qan), nuk do të shkoj dot më shkollë, s’do shoh më dot vëllezërit e mi, mamin e babin… Operimi kushton 13 mijë euro”-tregoi Ermali.

Nëna e 12 vjeçarit vetëm qan.

“Shumë më ka vrarë, dhimbja është e madhe, çdo ditë që kalon, më vret në shpirt. Frikë kam, çdo moment. Prindi bën çdo gjë, por ka disa gjëra që nuk i arrijmë dot, nuk i mundësojmë dot. Jetojmë me qira, unë punoj në fasoneri, im shoq në një siguri private, rrogat janë shumë të vogla. Mua vetja nuk më intereson, vetëm Ermali të jetë mirë, fëmija është gjëja më e shenjtë”

“Nuk e përballoj dot këtë dhimbje. Unë jam i gatshëm si prind, si babë, nëse është e mundur që ta heq syrin tim… (qan) e t’ja jap, t’ja vë djalit tim… tjetër nuk di çfarë të them. Kjo është dhimbja ime, që mban shpirti im.”-rrëfehet mes lotëve babai i Ermalit.

S’mund kurrsesi të braktisnim shpresën e një 12 vjeçari dhe të mos i përgjigjeshim lutjeve të dy prindërve… Fondacioni ‘Firdeus’ mori përsipër kostot e operimit për Ermalin. 12 vjeçari e kreu operimin dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë. Ermali do të mund të luajë me shokët e tij, do të mund të shohë nënën, babain, vëllezërit.