Nga nesër hyrja në kufirin shqiptar me rregulla anti-covid, për kë mund të aplikohet karantina

 Nga nesër hyrja në kufirin shqiptar me rregulla anti-covid, për kë mund të aplikohet karantina

Duke filluar nga dita e nesërme (e hënë, 6 shtator), hyjnë në fuqi rregullat e reja për kalimin në territorin e Shqipërisë. Fjala është për plotësimin e një prej tre kërkesave që autoritetet do t’u kërkojnë qytetarëve në kufirin e Shqipërisë.

Me fjalë të tjera, qytetarëve do t’u kërkohet të plotësojnë një nga këto tre kushte, për t’u lejuar të hyjnë në Shqipëri:

1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

(Përjashtim nga këto rregulla përbëjnë fëmijët në moshën deri në 6 vjeç.)

Të njëjtat rregulla funksionojnë edhe për qytetarët që kalojnë tranzit në Shqipëri.

Në lidhje me karantinën 10 ditore, kjo masë do të aplikohet për personat që janë rezidentë në Shqipëri dhe që nuk plotësojnë asnjë prej tre kushteve të mësipërme. Këta të fundit pasi të qëndrojnë për 10 ditë në karantinë, do të duhet të njoftojnë autoritetet shëndetësore për t’i kryer tamponin për Covid.