Një avion luftarak i shekullit të shkuar nxirret nga rëra e plazhit të Durrësit

 Një avion luftarak i shekullit të shkuar nxirret nga rëra e plazhit  të Durrësit

Nisi si shqetësim i shumë banorëve atje që kur ecnin në rërë vriteshin. Në sipërfaqe kishte dalë një pjesë e fortë, por askush deri më tani nuk kishte vëzhguar se çfarë ishte.

E teksa bizneset në zonë kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ri turistik, në dritë ka dalë diçka e pazakontë. Në bregdetin e plazhit në zonën e Malit të Robit në Durrës, ka dalë nga rëra një mori mbetjesh të një avioni të vogël luftarak. Përveçse pjesëve si helikës në sipërfaqe ka dalë një pjesë e motorit, radiatorit dhe pjesë të tjera të avionit.  Mes metalit, janë gjetur dhe disa fishekë të kalibrit 12.7 mm.

Auroritetet kanë inspektuar gjetjet në zonë dhe janë bërë gatitjet për t’u larguar pjesët e avionit e municionet. Mendohet se avioni mund t’i përkasë luftës italo- greke ose një periudhe më të vonë se Lufta e Dytë Botërore.

Zona në fjalë gjatë viteve të komunizmit ka qenë një zonë ushtarake dhe vetëm dy dekadat e fundit është përdorur nga pushuesit.

 “Kanë qenë 5-10 metra nga deti dhe ka pasur zbaticë këto ditë duke dalë më në sipërfaqe. Janë tërhequr sepse kanë qenë shqetësim për të gjithë banorët e plazhit këtu, që çaheshin herë pas here, pasi një pjesë e helikës dilte në sipërfaqe.”-tha një qytetar në prononcim për Top Channel.