Një gabim njerëzor mund të sjellë tragjedinë! Djegia e 4 familjarëve në Velipojë dhe bombulat e gazit

 Një gabim njerëzor mund të sjellë tragjedinë! Djegia e 4 familjarëve në Velipojë dhe bombulat e gazit

Një gabim njerëzor, i kryer padashje apo nga pakujdesia, mund të sjellë dëme të jashtëzakonshme deri në humbjen e jetës.

Një rast i tillë ndodhi ditën e djeshme (4 korrik) në Velipojë, ku rrjedhja e gazit solli një shpërthim të fuqishëm që shkaktoi djegie të rënda për 4 anëtarë të një familje.

Nëna e tre fëmijëve kishte zbritur për të bërë kafenë në një bombul gazi, pa e kuptuar se bombula kishte pësuar rrjedhje. Sasia e gazit të rrjedhur dhe fakti se bombulat kanë qenë brenda ambientit të mbyllur, kanë krijuar kushte për shpërthimin e flakëve.

Mbi rastin, Inspektoriati Shtetëror Teknik Indrustrial, ka shpjeguar se bombula që mori zjarr ishte një bombul kampingu, që përdoret vetëm një herë.

“Nisur nga kontrolli i objektit në fjalë dhe deklarimet e PMNZSH Shkodër, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerezor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.”-thuhet në njoftim (më poshtë njoftimi i plotë, i asaj se çfarë është gjetur në vendin e ngjarjes.)

Për kreun e zjarrfikësve në Shkodër, Agron Dibra, problemi ka qenë fakti se bombula që u përdor në Velipojë kishte mbi 10 muaj që qëndronte e paprekur. Për shkak të kohës, gomina e bombulës mund të ketë dalë nga përdorimi, duke bërë kështu të mundur rrjedhjen e gazit.

“Janë të rrezikshme. Në Velipojë këto bombula rrinë gati 10 muaj të papërdorura. Gominat forcohen e kur ti shkon t’i vësh në punë, ka rrjedhje gazi. Bombulat e kampingut janë gangrena apo kanceri i pjesës së përdorimit të gazit në ambiente familjare ose kabina.”-shpjegoi Dibra.

Kujtojmë se 40 vjeçarja kishte shkuar në hotelin në pronësi të saj për të bërë gati dhomat për sezonin turistik. Si pasojë e shpërthimit të flakëve, ajo së bashku me tre fëmijët pësuan djegie të rënda në trup dhe u transportuan në repartin e djegie plastikës në Tiranë.

Djegia për shkak të bombulave, shqetësim serioz për mjekët

Mjeku Nardi Kola, kirurg i repartit të djegie plastikës, tregoi se lëndimet më të shpeshta janë pikërisht ato që vijnë nga shpërthimet e gazit.

“Ato që krijojnë një ndjesi negative janë djegiet masive nga shpërthimi i gazit që realisht janë bërë një problem edhe për ne. Pacienti pas djegies kalon edhe atë fazën e shokut, që ndonjëherë edhe mund të mos dalë. Kjo është një fazë shumë më problematike”, thotë ai.

Mjeku tregon se si duhet vepruar.

“Ndihma e menjëhershme duke i vendosur sistemin e qarkullimit në funksion sa më shpejt, është esencial. Kjo është mirë të dihet nga të gjithë mjekët në Shqipëri”, shpjegon mjeku, ndërsa shton se në rastet e djegieve të lehta apo mesatare, veprimi i parë është shpërlarja e plagës me ujë të pastër.

Rrëfimi i nënës së 40 vjeçares, e djegur në incidentin e djeshëm në Velipojë

Mbi gjendjen e 4 anëtarëve të familjes Gjoka, ka folur dhe nëna e 40 vjeçares. Ajo u shpreh para medias në ambientet e QSUT-së në Tiranë, duke thënë se e bija ka shkuar të bëjë kafen dhe se kur ka ndezur shkrepësen, gjithçka ka marrë flakë.

“Na thanë që kemi dhimbje trupi. Kanë qenë duke fjetur, vajza ka qenë duke bërë kafen, sa ka ndezur shkrepësen, ka marrë flakë aty. Fëmijët kanë qenë duke fjetur, vetëm kur iu ka shkuar flaka te shtrati.

“Çfarë mund të bëhet për t’i shpëtuar?”-e ka pyetur një prej gazetarëve.

Vetëm zoti e di dhe doktori. E ka në dorë doktori“, tha gruaja.

Një apel nga autoritetet

Në lidhje me ngjarjen ka folur në intervistë dhe kreu i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Fiqiret Kovaçi. Ky i fundit i është drejtuar me një apel qytetarëve që të mos mbushin bombulat e gazit kuturu, por vetëm në pika të licensuara.

“Konsumatorët duhet të kenë parasysh vetëm këtë gjë. Nuk duhet të blejmë gaz dokudo. Duhet të blejmë gaz vetëm në pikat e certifikuara. Ne po hetojmë se ku janë mbushur këto bombola. Nëse rezulton se janë mbushur në një pikë, ndaj asaj pike do të merren masa ekstreme.”

NJOFTIMI I PLOTE I ISHTI:

Në zbatim të Ligjit 10 433 datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit 32/2016 “Për Garantimin e Sigurisë së Punës të Pajisjeve dhe Instalimeve Nën Presion”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Pulaj, rrugës hyrëse Sektor- Vilun, Velipojë, Shkodër, ju informojmë:

Më dt 04.07.2021 rreth orës 08.00 të mëngjesit është marrë informacioni se në Hotel “Enriko” me pronar Arben Gjoka me adresë në fshatin Pulaj, rruga hyrëse Sektor-Vilun, Velipojë, Shkodër ka pasur shpërthim dhe zjarr me pasoja dhe dëmtime të rënda të objektit si dhe familjarëve që kanë në pronësi objektin. Grupi i punës i përbërë nga inspektorët e sektorit Verior të Drejtorisë së Inspektimit të Enëve nën Presion pranë ISHTI është paraqitur në vendngjarje dhe kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në një objekt me 3 kate që ka shërbyer si hotel sezonal per periudhën e verës.

Shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit në pjesen jugore të tij në një ambient të mbyllur që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët. Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3 – 5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikueshme si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës.

Bombolat nuk kanë pësuar shpërthim dhe nuk kanë dëmtime në trupin e tyre por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës. Personeli PMNZSH Shkodër ka sqaruar se 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë nga ana e tyre. Gjithashtu në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, gjendet një rezervuar gazi me kapacitet 1000 Litra i cili është i mbyllur dhe bosh. Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.

Nisur nga kontrolli i objektit në fjalë dhe deklarimet e PMNZSH Shkodër, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerezor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.

Në prezencë të Inspektoreve të ISHTI është përgatitur nga ana PMNZSH Shkodër akti i konstatimit nga ky Institucion si dhe nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë së rrethit Shkodër është përgatitur Procesverbali i këqyrjes të vendit të ngjarjes.