“Njerëzve nuk u ka mbetur asgjë, veç shpresës” Çfarë ndodhi në zonat e përmbytura në Europë

 “Njerëzve nuk u ka mbetur asgjë, veç shpresës” Çfarë ndodhi në zonat e përmbytura në Europë

Të paktën 170 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës të ndodhura në pjesën perëndimore të Europës. Ky është deri më tani numri i viktimave, shumica e të cilëve (143) vijnë nga disa prej qyteteve perëndimore të Gjermanisë, vendi më i goditur nga përmbytjet.

Të paktën 27 janë viktimat në Belgjikë, e cila është goditur po ashtu ndjeshëm nga përmbytjet.

Për numrin e të humburve, mediat e huaja flasin se janë mbi 1 mijë të tillë. Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se të paktën 670 vetë janë lënduar gjatë këtyre ditëve.

E teksa në disa zona të Gjermanisë, tashmë ka nisur puna për ‘rimëkëmbjen’ dhe pastrimin e maleve të mbeturinave, më poshtë gjeni disa pamje, që tregojnë më së miri se çfarë ka ndodhur.

Me poshte pamje nga Gjermania, Belgjika e Holanda.

Me poshte pamje nga Belgjika

“Vëlla im tentoi ta ndihmojë, por ajo ishte mbytur” Çfarë treguan qytetarët e prekur nga përmbytjet në Gjermani

Shumë njerëz të prekur nga tragjedia kanë treguar historitë e vështirësitë e mëdha që përjetuan përgjatë këtyre ditëve. Shumë prej tyre e krahasuan atë që panë me skenat e dokumentarëve të Luftës së Dytë Botërore.

Në fshatin e Schuld, përmbytjet shkulën nga vendi ndërtesat e morën përpara makinat. Një 76 vjeçare e quajtur Marlene Weichmann tha se kurrë nuk e kishte parë fshatin në atë gjendje.

“Gjithçka e shkatërruar, e thyer, e marrë me vete nga uji, është një katastrofë”-tha ajo për median vendase.

Gregor Jericho jeton në Rheinbach dhe i tregoi BBC-së se çfarë i panë sytë gjatë përmbytjeve.

“Skena shumë të trishta. Rrugët, urat e shumë ndërtesa të shkatërruara. Kudo ka plehra e shumë pjesë të ndërtesave i gjen në rrugë. Njerëz që rrinë ulur dhe qajnë. Është kaq e trishtë. Njerëzit kanë humbur shtëpitë, makina e tokat e tyre. Qyteti duket sikur ka qenë fushëbetejë I ndonjë lufte.”-tha ai

Ai shton më tutje se një grua që jetonte pranë tij ndërroi jetë në rrugë, pasi u godit nga një makinë që po merrej përpara nga përmbytjet.

“Vëllai im u përpoq ta ndihmonte, njoftoi dhe ambulancën… por ajo kishte ndërruar jetë.”

Një tjetër histori e një familje, treguar për Deutsche Welle. Uwe dhe Robert Gödecke së bashku me qenin e tij arritën t’i shpëtojnë valës së ujit në Heimerzheim. Kishin arritur të dilnin nga dritarja e kuzhinës, pasi ishin zgjuar në mes të natës nga zhurma e ujit (përmbytjeve). Më tutjë një gomone e Kryqit të Kuq i kishte çuar në një vend të sigurt. E vetmja gjë që i mbeti nga shtëpia ishin rrobat e trupit dhe një portofol.

“Gjithçka po vinte prapa nesh me valën e ujit, pashë tavolinën e oborrit e karriget e shtëpisë”-tha Uwe.

Philipp Huckenbeck i cili jeton në  Wuppertal, i tha BBC-së se në zonë ka një përrua të vogël që nuk i kalon 20 cm në thellësi.

“Ky përrua i vogël brenda pak orësh u bë në një lumë 5 metër të lartë…. duhej të evakuoheshin të gjithë. Fatmirësisht qeni im ishte në katin e mësipërm të shtëpisë dhe nuk ishte mbytur.”-tha ai.

Raportimi i një tragjedie

Për Deutsche Wellen, gazetarja Kate Martyr përcolli videon e një banese (azil) ku ndërruan jetë 12 njerëz me aftësi të kufizuara…. ajo thotë se banesa (në Sinzig) ndodhej pranë lumit  dhe se aty ndërruan jetë 12 vetë… më tutje gazetarja ndërpret fjalën, duke mos gjetur se çfarë të shtojë më.

Personat që u mbytën po flinin natën e tragjedisë dhe ata i kishte nën kujdes vetëm një vëzhgues

Shumë njerëz kanë nisur të dhurojnë në ndihmë të të prekurve

Në shumë prej qyteteve e fshatrave të prekur, kanë qenë jo të pakta ndihmat që kanë ardhur nga njerëzit. Një rast (në Erftstadt) e raporton Deutsche Ëelle, ku janë mbledhur aq shumë donacione saqë organizuesit vendosën të ndalojnë mbledhjen e dhurimeve të tjera (në të ushqime, veshje, etj) pasi nuk kishin ku t’i vendosnin (në një shkollë).

Shumë njerëz nuk kanë më asgjë, veçse shpresës

Në një vizitë në qytetin e Erftstadt, Presidenti Gjermanisë Steinmeier e përkufizoi me këto fjalë situatën.

“Shumë njerëz kanë humbur të gjitha ato për të cilat punuan gjatë gjithë jetës së tyre, pronat, mjetet, shtëpinë sipër kokës së tyre. Do të jetë e mundshme vetëm pas disa javësh, për të kuptuar se çfarë dëmi është bërë. Shumë njerëz nuk kanë më asgjë veçse shpresës së tyre, dhe ne nuk duhet t’I zhgënjejmë këto shpresa”