Reshjet përfshijnë Shqipërinë, kjo është panorama në plazhet e Durrësit dhe Velipojës

 Reshjet përfshijnë Shqipërinë, kjo është panorama në plazhet e Durrësit dhe Velipojës

Në orët e vona të natës, reshjet e shiut e në disa pjesë ato të breshërit, kanë përfshirë thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë.

Një pamje të pazakontë gjen në vijën bregdetare të Durrësit, ku plazhi ka qenë thuajse i boshatisur. Pushuesit kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi ose të largohen nga plazhi.

Reshje shiu ka patur dhe në qytetin e Durrësit, ku për disa minuta ka patur dhe stuhi të vogla breshëri.

Më në veri në plazhin e Velipojës, gjen të njëtën panoramë. Fare të paktë kanë qenë pushuesit që kanë dalë në plazh për shkak të erës së fortë e reshjeve të herëpashershme të shiut.

Në Tiranë po ashtu reshjet e shiut kanë nisur rreth orës 04:00 të natës dhe kanë vijuar me shkëputje përgjatë ditës.

Deri më tani nuk raportohet për ndonjë situatë problematike nga autoritetet.

Sipas meteoalb, moti këtë të dielë do të karakterizohet nga kthjellime e vranësira. Por mesdita dhe kryesisht pasditja, do të sjellin shpeshtim të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit tonë. Nuk do të mungojnë edhe stuhitë afatshkurtra e të izoluara të breshërit. Orët e mbrëmjes përmirësojnë përkohësisht kushtet e motit në vendin tonë.

Temperaturat e ajrit mbeten konstante në vlerat minimale por ulen me 3 gradë në vlerat maksimale duke u luhatur nga 14°C mëngjesi deri në 32°C mesdita. Era do fryjë mesatare me shpejtësi deri 35 km/h, nga drejtimi Verior-Verilindor ndërsa në det të hapur krijohet dallgëzim deri 3 ballë.