Njëri shqyen veshin, tjetri pëson fraktura! Mjekët në Kosovë apel për përdorimin e skuterëve elektrikë

 Njëri shqyen veshin, tjetri pëson fraktura! Mjekët në Kosovë apel për përdorimin e skuterëve elektrikë

Vitet e fundit në Kosovë e Shqipëri është parë një përdorim i shtuar i skuterëve apo trotinetave elektrike. Por bashkë me rritjen e numrit të tyre, aksidentet me këto mjete transporti janë shtuar ndjeshëm.

Në Kosovë, mjekët kanë shpërndarë një apel të bërë nga doktor Lavdrim Agushi, i cili u ka kërkuar prindërve që të jenë shumë të kujdesshëm. Vetëm mbrëmjen e djeshme, siç tregon mjeku, kanë mbërritur 2 të rinj e 2 fëmijë të mitur, të cilët kanë marrë lëndime serioze si pasojë e aksidenteve me trotineta.

Mjeku Agushi ka treguar se një 19 vjeçar ka pësuar fraktura në kokë, ndërsa një 4 vjeçar e ka shqyer veshin pasi është rrëzuar nga skuteri.

Ky është postimi i mjekut, në rrjetin social:

 Apel për kujdes, sidomos prindërve !!!

Vetëm kujdestarinë e mbrëmshme 4 lëndime serioze të shkaktuara nga Scooteret e vegjël dhe ata elektrik.

19 vjeçar me frakturë të bazës së kafkës dhe lëndime tjera serioze

7 vjeçare duke lozur me trotinet e goditur nga vetura

21 vjeçare me lëndime të shumëfishta të ekstremiteteve

4 vjeçar me lëndim-shqyerje të veshit si pasojë e rrëzimit me trotinet.

Shpejtësia ,pakujdesia ,sidomos mungesa e infrastrukturës tek ne dhe shumë faktorë tjerë po shkaktojnë lëndime serioze që kushtojnë me jetë.

Edhe në Shqipëri, nuk kanë qenë të pakta aksidentet e ardhura nga përdorimi i skuterëve elektrikë, veçanërisht nga dhënia me shpejtësi të larta të këtyre mjeteve.

Në shtetet europiane po aq, skuterët kanë sjellë vdekje të shumta, duke detyruar shumë vende që të krijojnë ligje të posaçme e deri tek moslejimi i përdorimit të tyre.