“Nuk heq dorë, s’ është në zgjedhjet e mia” Historia e të riut të verbër që kompozon këngët e tij

 “Nuk heq dorë, s’ është në zgjedhjet e mia” Historia e të riut të verbër që kompozon këngët e tij

Ky është Andon Çepe dhe qëkur ishte 13 vjeç, ka nisur të shkruajë e këndojë këngë. Pasioni për muzikën nuk e ka lënë kurrë në baltë dhe sot studion në shkollën e mesme artistike ‘Feim Ibrahimi’ në Gjirokastër.

Por ndryshe nga të tjerët, Andoni është i verbër dhe nuk mund ta ‘shohë’ muzikën e tij. Pavarësisht kësaj, ai mbetet një shembull për të gjithë studentët e tjerë, duke treguar vullnet e përkushtim të jashtëzakonshëm.

 “Që në fillim që kam nisur muzikën qoftë si këngëtar qoftë si klarinetist që po punoj tani, qëllimi maksimal është të kap skena të larta, thjesht majën. Sigurisht që duhet shumë punë. Mbaj mend pjesën plus që më ndihmon edhe profesori me çdo mënyrë të mundshme kështu që nuk na pengon në asnjë lloj aspekti kjo pjesë për mbarëvajtjen e studimit. Të heqësh dorë nuk ekziston fare në zgjedhjet që bëj”, tha Andon Çepe në një intervistë për Top Channel.

 “Andoni është i veçantë në mënyrën sesi ai studion, në përkushtimin që ai ka dhe është një njeri me shumë vullnet. Kjo ishte një gjë që mua më ka habitur vërtetë dhe ma ka rritur edhe mua dëshirën për të gjetur dhe për të kërkuar mënyra më efektive për këtë nxënës. Unë mendoj se aty ku ka dashuri për artin asgjë nuk është e vështirë”, tha mësuesi i tij i klarinetës.