Pamjet në tragetin e shkrumbuar nga flakët, çfarë tha 21 vjeçari që i shpëtoi për mëse dy ditë zjarrit

 Pamjet në tragetin e shkrumbuar nga flakët, çfarë tha 21 vjeçari që i shpëtoi për mëse dy ditë zjarrit

“Isha në gjumë kur shpërthyen flakët. Kur u zgjova e kuptova se çfarë kishte ndodhur. U mundova të arratisem, por nuk munda”

Kështu është shprehur 21 vjeçari me origjinë nga Bjellorusia, i cili arriti të dalë i gjallë ditën e djeshme prej tragetit italian që mori flakë javën e kaluar në afërsi të Korfuzit.

I riu tregoi për median greke se qëndroi për dy ditë në kamionin e tij, me shpresën se flakët nuk do të gllabëronin edhe vendin ku ai po ‘strukej’. 21 vjeçari ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur, e kësisoj ka vendosur të qëndrojë në kamion.

“Ishte shumë vapë dhe vendosa të qëndroj në kabinën e kamionit. Kam qëndruar dy ditë dhe kam ndezur dritat e kamionit në mënyrë sporadike për të parë se çfarë po ndodhte, sepse kisha frikë se mos merrte flakë garazhi ku isha. Dola ditën e tretë kur kuptova se temperatura kishte rënë dhe për t’u siguruar kapa çarçafët me duar. Po shikoja me vështirësi, por më në fund dallova një tabelë që thoshte “dalje emergjente”. E ndoqa dhe arrita të dilja nga aty.”-tregoi i riu për median greke.

Ndërkohë po ditën e djeshme, autoritetet arritën të nxjerrin prej tragetit trupin e karbonizuar të një personi. Tashmë mbeten 10 persona ende të pagjetur. Shpresat se dikush mund të jetë ende gjallë nuk janë humbur, por kërkimet në target janë tejet të vështira, për shkak të toksicitetit të ajrit në target dhe rrezikut të përhershëm se mund të ketë shpërthime të reja zjarri.

Ekathimerini ka përcjellë disa foto, ku dallohet qartësisht se në traget gjithçka është djegur. Kërkimet janë të vështira, ndërsa temperaturat në disa vende të anijes shkojnë në 1000 gradë celcius.

“Kërkimet e bëra janë të mëdha, pork a pjesë të tragetit ku duhet kryer ajrosje në mënyrë që zjarrfikësit të mund të hyjnë. Veçanërisht në pjesën e prapme e nivelet e poshtme të anijes, atje ku nisi zjarri. Flitet për temperaturë 1 mijë gradë celcius. Përveçse kësaj, gazet atje janë kompresuar dhe me të ‘gjetur’ oksigjen, mund të ketë mikro-shpërthime. Në këto kushte, ekipet mund të punojnë për 15 deri në 20 minuta e më tutje duhet të largohen”-shpjegon media greke duke iu referuar burimeve.

Ekipet kanë kërkuar në detaje edhe në zonën (garazhin) ku ka qëndruar 21 vjeçari, pasi ky i fundit deklaroi se ka dëgjuar zëra duke bërtitur. Por deri më tani asnjë person nuk është gjetur, i gjallë apo i vdekur.