Përplasja në market, si ndodhi sherri që i mori jetën 29 vjeçarit! Policia arreston mikun e viktimës

 Përplasja në market, si ndodhi sherri që i mori jetën 29 vjeçarit! Policia arreston mikun e viktimës

Një debat që mund ta kemi parë shpesh nëpër markete, e kujt është radha për të paguar… Por kësaj here, debati degjeneroi brenda pak sekondave në përdorimin e armës.

Një e shtënë i mori jetën një 29 vjeçari, e shtënë e qëlluar nga një oficer policie i Dibrës, i cili kishte ardhur në Tiranë për t’ju nënshtruar testit të drogës, një ‘filtër’ në të cilin po kalojnë të gjithë oficerët e policisë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm.

Ndërkohë mbi rastin, në prangat e policisë ka rënë miku i viktimës, për moskallëzim të krimit. I arrestuari është Orgest Drazhi, 36 vjeç, pasi në rrugën “Irfan Tomini”, duke qenë prezent në konfliktin e çastit ku humbi jetën Jurgen Duka, nuk ka kallëzuar krimin.

Ashtu siç tregojnë pamjet në kameran e sigurisë në market, viktima i merr pijet nga duart mikut të oficerit, me idenë se nuk i intereson të paguajë dhe pijet e tjetrit.

Në këtë moment debati mes palëve ka degjeneruar në akuza verbale e pak më tutje Jurgen Duka ka tentuar të qëllojë me grusht Arbër Sulën, oficerin.

Ky i fundit më tutje nxjerr armën dhe qëllon. 29 vjeçari Jurgen Duka është plagosur rëndë (në kraharor), ndërsa të gjithë kanë shpejtuar të dalin nga marketi.

I riu është transportuar në spital, por mjekët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën. Autoritetet janë vënë në kërkim të oficerit Sula, i cili ende nuk ka rënë në pranga.