Përqafimi i një vrasësi, momentet kur piloti grek përlotet në krahët e vjehrrës

 Përqafimi i një vrasësi, momentet kur piloti grek përlotet në krahët e vjehrrës

Pak orë përpara se të pranonte që të shoqen e kishte mbytur me duart e tij, Haralambos Anagnostopulos u pa teksa qante e ngushëllonte të vjehrrën.

33 vjeçari ndodhej në varreza për ceremoninë përkujtimore të së shoqes, Caroline. Policia i ngriti një kurth polotit 33 vjeçar, duke i thënë se duhej të vinte menjëherë me ta, pasi kishin arritur të identifikonin një të dyshuar në ‘grabitje’.

Vjehrra e tij e pyet se çfarë po ndodhte, ndërsa ky i fundit e përqafon dhe të dy qajnë e përloten. Haralambos niset me helikopter me policinë dhe pas orësh në pyetje, tregon të vërtetën.

Reagimi i Komunitetit shqiptar ne Greqi

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi ka shprehur tronditjen e thellë për vrasjen e 20-vjeçares, Caroline Crouch nga bashkëshorti i saj. Po ashtu komuniteti i i kërkon mediave greke të kërkojë falje publikisht për shpifjet ndaj shqiptarëve, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar.

“… kërkojmë të përdoren menjëherë reflekset e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur, në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline NUK ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm “shqiptar” apo “gjeorgjian” etj.

Sërish media greke nuk humbet aspak shansin të kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.

Dënojmë thellë aktin e frikshëm të vrasësit 33-vjeçar, i cili për 37 ditë me radhë luante rolin e bashkëshortit të hidhëruar.

Kërkojmë media greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar. Ndodh shumë vite tashmë, ka ardhur koha ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë, duke dënuar ashpër çdo autor përgjegjës!

Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë!“-shkruhej në deklaratë.

Vlerësimi i një psikiatri

Në median greke ka patur një sërë reagimesh të forta në lidhje me 33 vjeçarin. Me t’u harruar varianti i “grabitësve shqiptarë”, në media janë përcjellë dhe vlerësimet e mjekëve psikiatër, për veprimet e kalkulimet e pilotit 33 vjeçar, i cili për të bërë edhe më të besueshëm të gjithë ngjarjen, vrau dhe qenin e shtëpisë.

Psikiatri grek Dimitris Souras e përshkroi profilin psikik të 33 vjeçarit, si një të një njeriu që ka kalkuluar gjithçka, me idenë (iluzionin) se nuk do të zbulohej kurrë.

“ Arriti të kryente ato veprime pa emocion apo pendesë, një personalitet i lindur për krim. U tregua naiv dhe besoi se kishte kryer një krim të pazbulueshëm. Ai po luante një rol të qelbur, është kafshë, me gjithë respektin që kam për kafshët.

Nëse ky do të ishte një krim i momentit, autori do të pendohej menjëherë, do të bërtiste, do të kërkonte ndihmë, do të thërriste policinë. Ai e mbyti edhe qenin për të pasur një alibi më shumë”.

Kur psikiatrin e pyetën, nëse mendon se Babis ka probleme mendore, mjeku e hodhi poshtë mundësinë.

“Të sëmurët mendorë nuk kanë aftësi të organizojnë asgjë, ata vrasin në irracionalitetin e tyre.”