Qytetari shpëton nga mbytja vajzën në Tale! Në Radhimë, mjeku ndërron jetë prej atakut kardiak

 Qytetari shpëton nga mbytja vajzën në Tale! Në Radhimë, mjeku ndërron jetë prej atakut kardiak

Një burrë ka shpëtuar mrekullisht nga mbytja një vajzë në moshë të re. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Tales në Lezhë.

Dëshmitarët treguan se vajza rreth 16- 17 vjeçe u shpëtua nga një burrë që është hedhur në det dhe ka arritur ta nxjerrë në kohë nga uji vajzën që rrezikoi të mbytej.

Në 26 kilometrat e vijës bregdetare të Lezhës janë afro 533 stacione plazhi. Në Lezhë, njëlloj si në plazhet e tjera të Shqipërisë, ka një mungesë të theksuar të rojeve bregdetare.

Në rastin e Lezhës do duheshin të paktën 250 vrojtues, por sipas Federatës së Vrojtuesve të plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, në Lezhë janë certifikuar 70 të tillë.

Në Vlorë nga ana tjetër ka ndodhur një ngjarje e trishtë. Një mjek është gjetur pa shenja jete në shezlong, në plazhin e Radhimës. I ndjeri, Kujtim Shabani, ishte mjek përgjegjës i shërbimit të urgjencës në spitalin rajonal të Korçës. Përgjatë kohës së pandemisë, 50 vjeçari i ka shërbyer qindra pacientëve me Covid me profesionalizëm e përkushtim.

Dyshimet janë se mjeku ka pësuar një atak kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 50 vjeçari ndërroi jetë.